Nishani uron Napolitanon: Rizgjedhja juaj do përparoj marrëdhëniet

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar Presidentin Giorgio Napolitano rizgjedhjen e tij në detyrën e lartë të kreut të shtetit italian.Në një mesash drejtuar homologut të tij Italian, Nishani thekson se vazhdimi i mandatit të tij si President i vendit është një kurorëzim i punës dhe përpjekjeve të tij të suksesshme në dobi të popullit mik italian, të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.“Jam i sigurt se kjo rizgjedhje do të influencojë mjaft pozitivisht edhe në përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh bindjen time të thellë se miqësia historike, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Italisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë dhe të përpjekjeve të Shtetit Shqiptar për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor” thuhet në mesazhin e presidentit.Më tej kreu I shtetit ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që vendi Italia I ka dhënë Shqipërisë në përpjekjet për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike, si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe si avokat i vendosur në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.“Duke ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta për rizgjedhjen tuaj si President, si dhe të ripërsëris dëshirën për t`Ju mikpritur sa më shpejt në Tiranë, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” përfundon mesazhi I kreut të shtetit.