Marrëveshja Kosovë-Serbi, Zeneli: Bashkëjetesa normale, sfida e veriut të Kosovës
Arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një mësim për të gjithë rajonin e Ballkanit se konflikte të tilla nuk mund të zgjidhen përvecse me dialog. Kështu ka konstatuar diplomati Bashkim Zeneli në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, duke e vlerësuar marrëveshjen një hap pozitiv në zgjidhjen ngërcit mes dy shteteve. Duka dashur të bëjë një bilanc se kush humbi apo fitoi më shumë nga ky hap, Zeneli vlerësoi se kemi të bëjmë me një kompromis dhe si i tillë ka përfitime dhe lëshime nga të dyja palët.“Pas dy vitesh bisedime dhe pas 10 raunde duhet të na kënaqë një përfundim që mund të shkonte dhe pafundësisht. Sinjalet janë dhënë me kohë. S’jam për ta ekzagjeruar arritjen e kësaj marrëveshje, është mirë që u arrit por s’është njohur terësisht pavarësia e Kosovës, s’janë zgjidhur problemet, por është një fillim i mirë, mund të ecim sëbashku në rrugën e BE, është hapur një mundësi e re. Marrëveshja ka 14 pika, secila ka problemet e veta, do ketë reagime nga krahë që se mbështesin në Kosovë e Serbi. Marrëveshja duhet të ratifikohet në parlament. Gjithsesi është një marrëveshje e mirë që zgjidh një ngërc që i konsideron bisedimet të nevojshme dhe jo të pafrytshme, s’ka qenë e lehtë për asnjërën nga palët.S’jam për ta parë bardh e zi, të dyja palët fitojnë, jo vetëm Kosova dhe Serbia por dhe rajoni, bëhet më i qetë, largohen ethet nacionaliste, pretendimet territoriale, zgjidhjet folklorike. Serbia fiton drejt BE për negociatat, pas një kushti nga BE jo shumë të lehtë për të. Tani arriti puna që edhe me Kosovën të bashkëpunojë edhe drejt Europës të progresojë. Edhe imazhi për Kosovën do jetë më i ndryshëm, do mund të besojnë se deri sa këto shtete që ishin majë më majë arritën të gjejnë bashkëpunimin, do të dinë të justifikojnë edhe ato veprime të pamotivuara deri tani. Vendet që se kanë njohur deri më tani dhanë sinjale se duhet të hedhin hapa në këtë drejtim. Me rëndësi është të kuptohet se këto probleme në rajon mund të zgjidhen vetëm me dialog. Bien pretendimet e Serbisë se Kosovën do ta ketë territor të saj. Por njohjet nuk do vinë vetvetiu për hir të marrëveshjes pa punuar, duhet punuar në koordinim edhe me Shqipërinë për më tepër lobim” tha ai.Nëse e gjithë marrëveshja në thelb konsiston në zgjidhjen e cështjes së veriut, diplomati Zeneli është i prirur ta shohë në një rrashfsh edhe më të gjerë, si një rregullator për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Ndërsa pranon se e gjithë kjo situatë do të ketë reaksion si nga Serbia ashtu dhe Kosova, ai shton se është detyrë e autoriteteve vendore apo lokale të Kosovës që tu krijojnë serbëve të gjithë hapësirat e nevojshme për një bashkëjetesë normale.“Mendoj se pozitivja në marrëveshje është fryma që kultivohet, se mund të bashkëpunojnë. Megjithëse kryesisht është për veriun, marrëveshja është më e gjerë, ka të bëjë me raportet mes dy vendeve. Lë të kuptojë se mund të bashkëpunojnë, mund të zgjidhin problemet, ndërkombëtarëve u çon një sinjal pozitiv. Është një hap i parë drejt atij problemi të pazgjidhshëm, do gjykoja që s’është problem i ri edhe zgjidhja e kësaj, të tilla teza për zgjidhjen e veriut janë hedhur edhe më përpara. Gjërat nuk mund të shihen bardh dhe zi, nuk është koha për mburrje, është një kompromis, ka edhe pranimin e arritjes edhe atë të lëshimit, në vazhdim do të shikohet edhe mënyra e implementimit. Reaksioni nga serbët do jetë i pranishëm edhe në Ksovë gjithashtu, por është detyrë e strukturave në Kosovë që tu japin gjitha hapësirat serbëve për një bashkëjetëse normale, pa paragjykime” theksoi Zeneli.I pyetur nga drejtori i Informacionit Patrik Sadikaj se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje a mund të flitet për një pajtim mes popujve dhe cfarë efektesh do të ketë edhe në planin ekonomik, Zeneli u përgjigj:“Pajtimet , vëllazërimet mes popujve nuk vinë me marrëveshje, por ato bindin palët se s’ka rrugë tjetër, që duhet të tolerojnë. Realizmi në praktikë i tyre varet nga palët përkatëse. Duhet të pranojmë një gjë se në momente të caktuar historike serbët dhe shqiptarët e Kosovës kanë bashkëjetuar mjaft mirë. Fryma e urrejtjes duhet tejkaluar. Kosova dhe Serbia duhet tu jenë mirënjohëse SHBA dhe BE për këtë durim të tepruar. Është herët për të parashikuar anekse të pikave të vecanta, por një qetësim i situatës, pranim i atyre pikave për veriun do minimizojë edhe vokacionet aktuale, sdo përbëjnë nxitje për trupa paramilitare apo strukturat paralele”.