Basha: Po ofrojmë një model të ri qytetërimi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka inspektuar ecurinë e punimeve në disa rrugë të kryeqytetit të cilat ndodhën në fazën përfundimtare të rikonstruksionit të tyre.Kryebashkiaku Basha inspektoi sot punimet në rrugën  “Endri Keko” me gjatësi 420 ml, në Njësinë Bashkiake Nr.3, me një investim prej 41.4 milion lekësh.“Siç e shikoni rruga jo vetëm që është ndërtuar në parametrat më optimal me trotuar, me ndriçim, janë mbjellë edhe pemët e blirit të cilët natyrisht do të jenë një thesarë shtesë i kësaj arterie të qytetit, por me investimin e bashkisë  janë rehabilituar edhe avllitë e vjetra duke i kthyer ato në një standart padyshim evropian, i cili jo vetëm nga ana vizuale estetike përmirëson ndjeshëm pamjen e kësaj rruge. Ky standart i ri frymëzon dhe një kulturë të re, një model të ri qytetërimi, një model të ri bashkëfqinjësie midis banorëve të rinj dhe të vjetër të kësaj zone. Banorë të cilët do të përfitojnë nga Bashkia e Tiranës sipas nevojës edhe fidan falas për të zbukuruar pjesën brenda oborreve, në mënyrë që kjo lagje sikundër shumë lagje ku ne po ndërhyjmë do të reflektojnë jo thjeshtë infrastrukturën më të mirë, por një model të ri qytetërimi, që t’i shkojë përshtat ambicies, objektivit tonë për një Tiranë moderne evropiane”-u shpreh kryebashkiaku Lulzim Basha.Gjithashtu Bashkia e Tiranës ka vijuar me mbjelljen e 200 fidanë bli në një prej rrugëve më të vjetra të kryeqytetit, në rrugën “Qemal Stafa”.“Tek kjo lagje e vjetër e qytetit ka shumë për të vënë dorë, por një nga projektet më të rëndësishme për qytetarët është cilësia e ambientit, cilësia e ajrit dhe natyrisht ana estetike e rrugës “Qemal Stafa” .Ndaj sot jam i gëzuar tek shoh që Ndërmarrja e Gjelbërimit ka dedikuar të gjithë kapacitetet e veta në fundin e këtij sezoni mbjelljesh, për të gjelbëruar rrugën “Qemal Stafa”, këtë rrugë të njohur të kryeqytetit, me plot 200 rrënjë blinjsh, pemë të cilat po mbillen sot, por që në fakt kanë filluar të çelin sythet e tyre dhe me aromën karakteristike të blirit. Shpresoj se njoftojnë jo vetëm një përmirësim të cilësisë së ajrit, por në tërësi një përmirësim të cilësisë së jetesës për banorët e vjetër dhe të rinj të rrugës “Qemal Stafa” tha Basha.Së bashku me këtë sezon mbjelljesh, bashkia e kryeqytetit arrin në total një numër prej 12 500 pemësh të mbjella në gjithë qytetin, vetëm 3000 pemë më pak se sa bashkia arriti të mbjellë në periudhën 2000-2011.