Rama: Politik vizionare për Shqipërinë europiane. Angazhim për Kosovën

Partia Socialiste ka prezantuar sot projektin politik "Shqipëria Europiane në Rajon dhe Botë".Në fjalën e tij, kreu i PS-së Edi Rama u shpreh se duhet një politikë vizionare për të bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian."Pas 23 qershorit, ne duam ta përcaktojmë si pjesë të pandashme të sjelljes sonë politike forcimin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe njësimin e  fjalëve me veprat kur bëhet fjalë për vlerat që promovojnë partnerët tanë strategjikë, BE dhe SHBA dhe këto janë anë të një medalje. Janë anë të një medaljeje të besueshmërisë së Shqipërisë.  Ne nuk mund të mbetemi tek politika e predikimeve duke bërë të papërmbushur politikën e jetësimit të fjalëve në vepra” tha Rama.Rama premtoi një sjellje të re në politikën e jashtme të Shqipërisë në mënyrë që diplomacia shqiptare të bëjë më shumë për njohjen e Kosovës.“Duam t’i japim një cilësi të re procesit të integrimit europian, sepse kështu e mbështesim Kosovën më mirë, qoftë për procesin e liberalizimit të vizave, qoftë për 5 njohjet që I kanë mbetur asaj. Jam I bindur se do bëjmë progress me ato vende, ku qeverisin të majtët europianë. Konfirmimi i hapur nga kryeministri rumun është një ogur shumë i mirë, që ne pas 23 qershorit, ta zgjidhim çështjen e njohjes së Kosovës nga Rumania.  Besojmë se pas arritjes së dialogut, edhe me Greqinë do të përparohet më mirë, falë besimit më të madh që krijoi Kryeministri i Kosovës. Të njëjtat përpjekje do bëjmë edhe ndaj dy shteteve të tjera, Spanjës dhe Qipros që mbeten në këtë grup” shtoi Rama.Duke iu referuar arritjes së dialogut Kosovë –Serbi, Rama theksoi se është e rëndësishme  duke një politikë e vlefshme për të vendosur paqen dhe zgjidhur mosmarrëveshjet."Nuk ka kaluar një kohë e gjatë për historinë dhe ka ndodhur një ndryshim marramendës, për ne që jemi dëshmitarë të gjallë, ndryshim i paparashikueshëm. Kjo vërteton se ne njerëzit në këtë botë kemi në dorë gjëra që duken absolutisht të pamundura. Historia e re njerëzve në rajon dhe Kosovës si shtet i ri në rajon dhe Europë është symbol i shpejtësisë me të cilën gjërat mund të ndryshojnë.  Vetëm pas ditë më parë, dukej se dialogu Kosovë- Serbi kish hyrë në impas, ndërsa sot, pak ditë më vonë, ai u finalizua. Pra, politika e ka bërë atë të mundur", - tha Rama.Ndërsa në fjalën e tij deputeti i PS-së Ditmir Bushati theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian për PS-në nuk është thjesht një sllogan por një program politik.Ai tha se synohet të ndërtohet një Shqipëri evropiane me autoritet në arenën ndërkombëtare, kapital politik dhe me aftësi për të ndërtuar një politikë konstruktive në rajon.“Ne zotohemi për një konsolidim të pozicionit të Shqipërisë, një proces cilësor dhe të shpejtë, partneritet strategjik me SHBA-të, si dhe kontribut konstruktiv në politikën e jashtme në rajon.” tha ai.Lidhur me anëtarësimin në NATO, Bushati tha se PS zotohet për të përmbushur angazhimet e papërmbushura, përgjegjësi për të qenë një shtet demokratik, rolin konstruktiv në rajon, duke shtuar se, kontributin ushtarak në misionet ndërkombëtare do ta shoqërojmë me kontributin civil dhe diplomatik.Bushati theksoi se qeveria e ardhshme e PS-së pas 23 qershorit do të ketë një raport të ri me opozitën si dhe do të ndërtojë një raport të besueshëm me partnerët ndërkombëtar."Ne do të përmirësojmë modelin e ndihmës së dhënë nga Bashkimi Europian duke e çuar këtë ndihmë drejt axhendës zhvillimore të vendit” tha Bushati.Në takim janë të pranishëm edhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri si edhe kreu i prezencës së BE-së në Tiranë Ettore Sequi dhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu.