Berisha në Sarandë: Do të ndërtojmë një Universitet për turizmin
Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar nga qyteti bregdetar i Sarandës ngritjen e një univeristeti për turizmin. Ndërsa ka marrë pjesë ne ceremoninë e diplomimit të studentëve të universitetit të Tiranës ,dega Sarandë, shefi i qeverisë tha se nuk mund të ketë qytet tjetër ku mund të ngrihet një univeristet për turizmin, përveçse në Sarandë, ndërsa tha se ky është një projekt konkret tashmë.“Diplomimi këtu sot me master profesional, për here të parë në këtë universitet është një ngjarje e madhe, dëshmi e një progresi të qenësishëm që është bërë këtu në përpjekje të gjithanshme.” tha kryeministri.Duke falënderuar rektorin e Universitetit të Tiranës për mbështetjen e dhënë projektit të ndërtimit të këtij universiteti, Kryeministri u shpreh se askund më mirë dhe më natyrshëm nuk mund të ngrihet një universitet për turizmin, sesa në qytetin e mrekullueshëm turistik të Sarandës” u shpreh Kryeministri.Gjatë fjalës së mbajtur para studentëve Kryeministri tha se 4 vitet që vijnë do të jenë në mbështetje të botës akademike shqiptare në mënyrë që të rritet gjithnjë e më shumë cilësia e mësimdhënies në universitetet dhe shkollat tona.“Ne po ngjitemi me shpejtësi, natyrisht në këtë proces është e pamundur të mos ketë dobësi, është e pamundur të instalohet menjëherë cilësia që do, por rrugë tjetër për të arritur atë cilësi, rrugë tjetër më të drejte se kjo për ta arritur objektivat nuk ka. Ndaj dhe ne qëndrojmë të bëjmë gjithçka për këtë projekt, sikundër i garantoj se 4 vitet që vijnë do të jenë në mbështetje të botës akademike shqiptare në mënyrë që të rrisim gjithnjë e më shumë cilësinë e mësimdhënies në universitetet dhe shkollat tona. Thashë këto fjalë se në mënyrë të pandërgjegjshme dhe rëndom dëgjon kritika se universitetet u shndërruan në piramida. Këto janë fjalë të papërgjegjshme. Ëndrrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë janë të shenjta, nuk janë piramida. Shoqëria shqiptare nuk mund ti shkelmojë ato dhe ajo ka qënë një politikë shumë e gabuar, politika e kufizimit të hyrjeve në universitet”tha Berisha.50 studentë të këtij Universiteti përfunduan studimet e tyre për programin master profesional, në degën administrim-biznes.