Halimi, paketë ligjore për ndryshime në kodin civil
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme miratimin e paketës civile, masa penale dhe rritjes së pagave për gjyqtarët.Në një konferencë për shtyp, ministri Halimi theksoi se përfituesit e drejtëpërdrejtë të paketës civile do të jenë qytetarët.“Qytetarët janë përfituesit më të mirë të kësaj reforme. Rreth 30 mijë qytetarë përfitojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo paketë por janë edhe 100 mijë qytetarë që do të kenë mundësi ta marrin shërbimin gjyqësor më shpejt. Shkurtimi i kohës dhe zvogëlimi i shpenzimeve do të jenë edhe përfitimet kryesore për qytetarët” tha Halimi.Ministri ka theksuar më tej se në sajë të kësaj reforme bëhet e mundur edhe shmangia e korrupsionit pasi shmanget kontakti i qytetarëve me zyrtarin.“Për shkak të këtyre ndryshimeve, një qytetar dje duhet të kalonte të paktën 5 hapa për të marrë një vendim gjyqësor për lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë, harxhonte të paktën 200-300 euro dhe të paktën 1 muaj për këtë proçes. Kjo situatë merr fund me këtë reformë. Këto çështje hiqen nga proçedurat gjyqësore dhe i kalojnë noterit. Kalimi i çështjeve gjyqësore noterëve i drejton qytetarët drejt një shërbimi të specilaizuar, të dixhitalizuar me standardet më të mira europiane.Kjo reformë ka një peshë specifike në reformën e drejtësisë me fokus efiçencën e sistemit gjyqësor. Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, u shpreh Halimi.Së fundmi, Ministri i Drejtësisë tha kjo nuk është e vetmja zgjidhje për krimin, por është një zgjidhje racionale së bashku me masat e tjera alternative.