Sequi: Shqipëria ka ligje të mira por shpesh ato nuk zbatohen
Përfundoi sot projekti 2-vjeçar i financuar nga Bashkimi Evropian me 1.5 milionë Euro, në mbështetje të luftës kundër pastrimit të parave në Shqipëri.Gjatë ceremonisë përmbyllëse, Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Ettore Sequi tha se Shqipëria ka një kuadër ligjor të plotë e modern në përputhje me standadet Evropiane, por ligjet shpesh nuk zbatohen siç duhet.“ Ligji anti-mafia duhet të amendohet dhe zbatohet më korrektësisht, në mënyrë që asetet jo vetëm të ngrihen, por edhe të konfiskohen duke rekuperuar kështu shuma të mëdha parash, të cilat të gjeneruara nga aktivitete të paligjshme mund të përdoren nga qeveria për shërbime publike" tha ambasadori.Ambasadori Sequi theksoi gjithashtu se çdo përpjekje do të jetë e pakuptimtë në rast se autoritetet shqiptare nuk sigurojnë qëndrueshmërinë në vendin e punës dhe garantojnë që profesionistët të cilët punojnë për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve ekonomike dhe të pastrimit të parave të shpërblehen më mirë si ekonomikisht ashtu edhe profesionalisht.Ai theksoi më tej nevojën për bashkëpunim mes të gjitha palëve. "Duke marrë në konsideratë faktin që pastrimi i parave mbështetet në mënyrë të vazhdueshme në teknika të reja, për t'i fshehur gjurmët e tyre, bashkëpunimi mes policisë dhe gjyqësorit duhet të thellohet", përfundoi Ambasadori Sequi.Ekspertë nga Instituti Spanjoll i Studimeve Fiskale dhe Departamenti Bullgar i Inteligjencës Financiare, kanë dhënë ndihmesën e tyre, duke asistuar autoritetet shqiptare në përmirësimin e zbatimit të Ligjit Anti-Mafia dhe ligjeve të tjera përkatëse, duke ofruar ekspertizën e Shteteve Anëtare në hetimin, zbulimin dhe ndjekjen penale të pastrimit të parave, në konfiskimin dhe administrimin e aseteve të krimit, dhe në koordinimin efektiv ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit.Projekti i Bashkimit Evropian është krijuar posaçërisht për nevojat e Shqipërisë, jo vetëm për forcimin e zbatimit të ligjit, por dhe për mënyrat e kryerjes së hetimeve. Numri i dënimeve për pastrim parash mbetet shumë i ulët, prandaj bashkëpunimi mes policisë dhe sistemit gjyqësor në luftën kundër pastrimit të parave është thelbësor.