Nishani-raporterët e KiE: Sjellja e partive, sfidë e rëndësishme për zgjedhjet

Shqipëria ka të gjitha kapacitetet institucionale dhe infrastrukturore për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet evropiane. Kështu është shprehur kreu i shtetit Bujar Nishani në një takim me Raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët vizituan Shqipërinë për të vlerësuar përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të 23 qershorit.Kreu i Shtetit shprehu besimin e tij se pjekuria e opinionit publik, zhvillimet pozitive në infrastrukturën ligjore dhe teknike si dhe angazhimi i madh i faktorit ndërkombëtar në dhënien e asistencës dhe monitorimin e procesit zgjedhor janë faktorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.Në vijim, Presidenti Nishani bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve dhe transformimeve demokratike në Shqipëri duke u ndalur tek bashkëpunimi me Këshillin e Evropës dhe eksperiencën e suksesshme të Shqipërisë si Presidente e këtij Këshilli.Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se sfida më e rëndësishme mbetet sjellja e përgjegjshme e partive politike para, gjatë dhe pas procesit elektoral.