Berisha me Ashton: Balancimi i KQZ-së, garanci vendimtare për një proçes ligjor

Kryeministri Berisha priti sot në takim Zëvendës/presidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuese e Lartë e Bashkimi Europian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, baroneshën Catherine Ashton.Kryeministri Berisha vlerësoi vizitën e parë të baroneshës Ashton si një vizitë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe një kontribut i çmuar në marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe një shprehje e qartë e angazhimit dhe mbështetjes së BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE.Baronesha Ashton e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke i pohuar se edhe për të është një kënaqësi e veçantë që ndodhet sot në Shqipëri.“Kam dashur të vija edhe më parë në vendin tuaj të mrekullueshëm dhe jam sot, këtu, për t`ju shprehur drejtpërsëdrejti juve zoti Kryeministër, vendosmërinë e BE-së dhe timen personalisht, për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Shqipërisë është e mbetet Bashkimi Europian,”- u shpreh Ashton.Në përgjigjen e tij, Kryeministri Berisha e siguroi zonjën Ashton se për të dhe për qeverinë shqiptare, anëtarësimi i Shqipërisë në BE, marrja e statusit të vendit kandidat dhe të gjitha hapat e tjera të lidhura me këtë proces janë dhe mbeten prioritet absolut i punës së qeverisë dhe i programit të Partisë Demokratike dhe koalicionit për katër vitet e ardhshme, si projekti më madhor dhe si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt e qytetarëve shqiptarë.Në takim u vlerësuan reformat, përpjekjet dhe arritjet e rëndësishme të kësaj periudhe në rrugën e integrimit. Kryeministri Berisha vlerësoi e shprehu mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen, ndihmën financiare e të gjithanshme që BE-ja i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të falenderuar zonjën Ashton edhe për kontributin e saj thelbësor e jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e negociatave midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të cilat Kryeministri i cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme, jo vetëm për marrëdhëniet bilaterale midis këtyre dy vendeve, por edhe për paqe e stabilitet të qëndrueshëm të të gjithë rajonit.Berisha e siguroi zonjën Ashton se qeveria shqiptare është e vendosur që zgjedhjet e 23 qershorit të jenë zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, konform standardeve ndërkombëtare. Korniza ligjore, e përmirësuar mbi bazën e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe e bazuar tërësisht në sugjerimet e opozitës, sistemi i saktë dhe transparent i numërimit, si dhe rritja e numrit të qendrave të votimit dhe numërimit, për shkurtimin drastik të kohës së votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve janë garanci solide, e padiskutueshme, për një proces zgjedhor konform të gjitha standardeve ndërkombëtare.Kryeministri theksoi gjithashtu se ruajtja e parimit themelor të Kodit Zgjedhor të balancimit të KQZ-së dhe komisioneve të tjera dhe integritetit të anëtarëve të KQZ-së dhe administratës zgjedhore është një garanci vendimtare për një proces në përputhje me ligjin, që siguron besimin e të gjitha palëve.Më tej, në takim u diskutua gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha i rikujtoi baroneshës Ashton vendosmërinë e Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, për të vijuar rolin e moderuar e të dedikuar ndaj promovimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.Në këtë aspekt, Berisha vlerësoi rolin e baroneshës Ashton dhe BE-së në shërbim të nxitjes së bashkëpunimit rajonal e integrimit të vendeve të tij. Kryeministri Berisha theksoi se çlirimi prej paragjykimeve të çdo lloji do të ishte shërbimi më i mirë që do t`i bëhej marrëdhënieve midis këtyre vendeve, si dhe ecurisë së projektit të përbashkët të integrimit europian dhe atyre rajonal.