KQZ, një çështje e stabilitetit të Shqipërisë

Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, e cila ka të bëjë jo me lojërat e partive dhe me interesat e tyre të ngushta, por ka të bëjë me stabilitetin e vendit, me standardin e zgjedhjeve që po vijnë dhe me procesin e integrimin evropian, që varet pikërisht nga standardi i këtyre zgjedhjeve. Kemi dëgjuar se ka një marrëveshje para 10 vitesh kur marrëveshja më e fundit është kodi aktual, i bërë përsëri me konsensus nga të dyja partitë, PD dhe PS, dhe me ekspertët e OSBE-ODIHR-it, ku shumë qartë, jepen vetëm 6 raste kur mund të ndërmerret iniciativa për të zëvendësuar një anëtar të KQZ-së. Nuk ka as pesë dhe as shtatë.E para kur mbush moshën për pension, e dyta kur vdes, e treta kur jep dorëheqjen nga detyra, e katërta kur dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi, kur me veprimin ose me mosveprimin e tij cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së dhe e fundit kur mungon pa shkaqe të arsyeshme në dy mbledhje radhazi të KQZ-së.Së pari, në rast se do të kishte përgjegjshmëri nga ana e mazhorancës dhe ajo do të ndihej e cenuar në respektimin e marrëveshjes nga pala tjetër, e para gjë, në mënyrën më të përgjegjshme dhe më qytetare, duhet të kishte kërkuar një takim me palën tjetër për të verifikuar, se cila ka qenë marrëveshja dhe se ku është prekur ajo. Përkundrazi, ne jemi të gjithë dëshmitarë të veprimeve krejtësisht jolegjitime të ndërmarra në një kohë rekord, të cilat nuk kanë si qëllim as pavarësinë e KZQ-së, për ta konsoliduar, dhe as balancimin e administrimit të procesit zgjedhor. Këtu qëllimisht ngatërrohet KQZ-ja së bashku me KZAZ-të, së bashku me KQVtë dhe së bashku me procesin e numërimit, të cilat janë të ndara për arsye se anëtarët e KQZ-së kanë një mandat 6-vjeçar dhe KQZ-ja ka praktikisht statusin e një gjykate dhe KZAZ-të janë për çdo palë zgjedhje apo kështu edhe KQV-të, e kështu me radhë.Të gjitha shqetësimet jashtë KQZ-së, partitë kanë mundësi që t’i zgjidhin, t’i ngrenë në KQZ, ku secila dërgon përfaqësuesit e vet, jo si anëtarë të KQZ-së sepse ata nuk mund të konsiderohen që nga momenti i zgjedhjes dhe i betimit më si përfaqësues i partive. Lidhur me personin në fjalë, z. Muho, dëgjova se ky në kundërshtim me atë që kishim deklaruar ne, kishte votuar në KQZ që Beratit t’i ulej një mandat. Dhe natyrisht që personi në fjalë, ka votuar kundër interesit politik e partiak të Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë çështje, por e ka bërë sepse ka gjykuar që kërkesa e anëtarëve të KQZ-së, bazuar në databazin më të fundit të regjistrimit të qytetarëve shqiptarë, ka qenë e ligjshme dhe ka zbatuar ligjin. Pra, nuk ka zbatuar një direktivë apo një interes të forcës politike që e ka propozuar këtë individ. Ndërkohë, dëgjuam këtu në lidhje me çështjet morale, që kanë të bëjnë me personin në fjalë dhe me standardin që na qenka prekur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga një problem që qenka zbuluar gjoja sot. Është tërësisht e pamoralshme kur vjen nga ata të cilët kanë zgjedhur kryetar të KQZ-së një person që Presidenti Berisha e ka arrestuar për mitmarrje, e ka shkarkuar nga gjykatës dhe më pas e ka shkarkuar edhe presidenti Moisiu.Kur juve ju intereson jeni gati t’i referoheni Dhori Sollakut, Alfred Moisiut, pse jo ndonjë ditë do t’i referoheni edhe Fidel Kastros. Por kjo është tërësisht e pamoralshme. Në rast ju vërtet keni këtë shqetësim lidhur me integritetin e këtij personi për këtë çështje, pra jo për çështje të tjera, atëherë ju keni plotësisht të drejtë që të mblidhni përsëri Komisionin e Ligjeve, të verifikoni gjithçka nga e para dhe në përputhje me ligjin të ndërmerrni çdo iniciativë që ju mendoni se është e ligjshme dhe në mënyrë transparente. Por, nxitimi juaj tregon tjetër gjë. Nuk tregon as vullnet për të arritur një administrim të zgjedhjeve në mënyrë sa më të pavarur dhe të balancuar. Përkundrazi, e keni pasur dhe i keni të gjitha mundësitë për këtë gjë. Aq më tepër kur ju e bëni këtë dhe ju e ndërmerrni këtë iniciativë përpara 23 prillit, pra afatit të fundit kur të gjitha forcat politike do të kenë bërë zgjedhjet përfundimtare për koalicionet. Por, ju e keni gjykuar këtë si një akt force, si një akt i një mazhorance. Po cilës mazhorancë? Sepse ky Parlament me votën e 29 qershorit është 70, 66, 4, me votën popullore është ndryshe, nuk është ashtu siç ju mendoni. Në qoftë se ju mendoni që në një mënyrë kaq të nxituar, të dhunshme, antiligjore, mund të ndikoni në rezultatin e zgjedhjeve, e keni shumë gabim, sepse do të ndikoni por do të ndikoni në të kundërtën të asaj që ju mendoni.Shqetësimi im nuk është ky. Shqetësimi im është që ju po i vini sot kazmën standardit të zgjedhjeve dhe këtë do ta vuajë vendi, do ta vuajë imazhi i tij dhe perspektiva e mëtejshme e integrimit evropian. Ndaj unë ju ftoj të reflektoni. Këtu bëhet fjalë për të ardhmen e vendit dhe nuk bëhet fjalë thjesht për fatin e një njeriu.Burimi : shekulli.com.al