Formula 1, Alonso triumfon në Çmimin e Madh të Kinës
Fernando Alonso i ka dhënë Ferrarit fitoren e parë për sezonin 2013 në Formula 1. Taktika e zgjedhur për të nisur garën me gomat e buta, rezultoi ajo e duhura në Çmimin e Madh të Kinës, ku strategjitë përcaktuan edhe renditjen e pilotëve. Kimi Raikonen me Lotus dhe Luis Hemilton me Mercedes përfunduan në podium pas krahëve të tij, ndërsa strategjia e zgjedhur nga Sebastian Vetel, i dha atij vetëm vendin e katërt, ndonëse pak metra e ndanë nga piloti që gjendej para tij.Gara u nda në dy grupe pilotësh, mes atyre që e nisën garën me goma të buta, për t'u shkëputur dhe më pas për të hyrë shpejt në pit-stop, si dhe atyre që zgjodhën të niseshin me gomat e mesme, për të vuajtur në mes të garës përdorimin e gomave të buta, të detyrueshme nga rregullorja.Fernando Alonso dhe Felipe Masa i bënë një start të shkëlqyer garës duke u vënë menjëherë pas krahëve të Luis Hamilton dhe duke arritur më pas ta kalonin atë në xhiron e pestë. Nëse Alonso bëri një ndërrim të shpejtë të gomave të tij të buta, Masa zgjodhi të qëndronte pak më shumë në pistë, kështu që humbi mundësinë për të qëndruar mes kryesuesve. Ndërkohë, shoku i tij i skuadrës përdori strategji të ndryshme për të arritur qëllimet.Në xhiron e 42-të, Alonso kreu parakalimin përfundimtar ndaj Vetel, duke vazhduar i qetë në vendin e parë, pasi dinte se gjermani do të ishte i detyruar që të zhvillonte një tjetër ndërrim gomash. Kampioni i botës u mundua të rifitonte pozicionet, por dy pilotët para tij, Raikonen dhe Hamilton arritën të "mbijetonin" në pistë duke fituar të drejtën e Podiumit. Vendi i pestë i shkoi Xhenson Baton, i cili përdori një strategji me dy ndalesa në bokse, ndërsa përfundoi garën para Felipe Mases që u rendit i 6-ti. Daniel Riçiardo me Toro Roso mori vendin e shtatë, Pol Di Resta ne vendin e 8-të dhe Roman Groszhan mori vendin e nëntë. Vendin e fundit në zonën e pikëve e siguroi Niko Hulkenberg. Dy zhgënjimet në pistën kineze ishin Mark Ueber dhe Niko Rosberg, të cilët u tërhoqën nga gara që në pjesën e parë pa u bërë asnjëherë protagonistë.