Berisha nga Berati: Politika e Ramës do marrë përgjigje me 23 Qershor
Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar pasditen e sotme nga Berati gjatë një takimi që pati me fermerët e këtij qyteti, programin e Partisë Socialiste duke u shprehur se politika kokëposhtë e Ramës do marrë përgjigje me 23 Qershor. Kryeministri, deklaroi se zhvillimi dhe modernizimi i metejshëm i fermerëve shqiptarë, suksesi në rritje i tyre, është një nga qëllimet më madhore të qeverisë."Ne jemi të bindur se Shqipëria nuk mund të jetë vend i zhvilluar, pa një fshat të zhvilluar në shkallën e fshatrave të vendeve të zhvilluara. Në 2005 ne përcaktuam këtë objektiv, që në pamje të parë dukej utopik, aspak realist. Ne përcaktuam detyrën tonë që kudo në Shqipërinë rurale të ndërtohej e njëjta infrastrukturë me lagjet e qyteteve. Të ndërtonim rrugë, kanale vaditjeje, shkolla, kanalizime me të njëjtat standarde me lagjet e qytetit", tha Berisha.Gjatë bashkëbisedimit, kreu i qeverisë sulmoi programin e PS “Për një Rilindje Shqiptare”.Sipas Berishës në 8 vite, opozita nuk i ka premtuar asgjë për fermerët, përveç naftës e cila sipas tij avulloi në xhepat e socialistëve. Kryeministri tha se politika e kryesocialistit Rama do të marrë përgjigjien e merituar me 23 Qershor.“Vështroni alternativën tjetër. Më thoni ju, në 8 vjet keni dëgjuar qoftë një propozim të vyer për ju përveç naftës. Ato e dhanë por avulloi në xhepat e tyre, por nuk erdhi tek ju. Ne do veprojmë që çdo gjë të vijë tek ju. Thotë unë do heq TVSH për ushqimet, por kjo do thotë të godasësh çdo prodhim shqiptar, unë nuk jam kundër konkurrencës, por unë jam për konkurrencë të ndershme. Kjo është politikë kokëposhtë e zotërisë së tij dhe do marrë përgjigjen e merituar me 23 Qershor. Do rrisë taksat për bizneset, harrohet se agrobiznesi që ju jeni lidhur në mënyre jetike është një nga bizneset jetësore, por nëse rrit taksat për bizneset e mëdha dekurajon që të investojnë, por edhe investitorët e huaj. Çfarë më thanë ata, ato thanë se janë të shqetësuar. Nëse vendoset taksa progresive më thanë pse do vijnë. Jam i bindur se keni mençurinë, praktikën për të bërë zgjedhjen dhe zgjidhjen që ju nevojitet më shumë”, deklaroi Berisha.Sipas Kryeministrit Berisha, "kreu i PS, që u përzu me votë nga Bashkia e Tiranës, ka lënë pa asfaltuar në qytetin e Tiranës 250 kilometra rrugë dhe rrugica sepse për ta ishte qendra, dhe unë ndjehesha jo mirë. Kur shkoja në komuna të Durrësit, Krujës ishin të asfaltuara, ndërsa në Tiranë nuk ishin".Ne, vijoi Kreu i Qeverisë, "i jemi përmbajtur këtij realiteti kur ishte e paimagjinueshme. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1100 shkolla në fshatrat e vendit. Këta që na thoshin se nuk ekzistonin aq kilometra rrugë në Shqipëri, këta harrojnë relievin e Shqipërisë, që është një nga relievet më të vështira. Sot kemi arritur 8 mijë kilometra rrugë, do të shkojmë në 10 mijë kilometra. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, aty ku fëmijët në fshat do ulen në banka si fëmijët e qytetit"."Kemi një politikë përkushtimi të plotë dhe bëjmë gjithçka për përkushtimin tuaj. Megjithatë më të shumtën e bëni ju vetë. Ne synojmë përfundimin e infrastrukturës rrugore që të keni rrugë si fermerët europianë", tha Berisha. Në Berat, shtoi kreu i qeverisë, “janë subvencionuar mbi 2600 hektarë, ne do ta trefishojmë këtë”. "Hapja e Shqipërisë ndaj turizmit ka sjellë në Shqipëri 4.7 milionë turistë, një treg më të madh për prodhimet tuaja. Hapja ka sjellë eksportet që janë trefishuar. Kjo është një rrugë e mundimshme. Nëse vendoset tani taksa progresive, taksa e lartë, pse do vihet, s’ka asnjë motiv", tha Berisha.