PD largon LSI-në nga KQZ-ja, reagojnë PS dhe LSI: Po minohet proçesi zgjedhor

Largimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeveritar sjellë një tjetër debat të fortë politik mes mazhorancës dhe opzitës që lidhet me administrimin e proçesit zgjedhor të 23 Qershorit.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, përmes një kërkese drejtuar Komisionit të ligjeve, ka kërkuar lirimin nga posti I anëtarit të KQZ-së, për përfaqësuesin e LSI-së, i propozuar dhe votuar në seancë në Tetor, si kandidat i koalicionit qeveritar.

Kërkesa në emër të grupit të PD-së është prezantuar nga deputeti Gent Strazimiri.“Në bazë të kodit zgjedhor gjysma e anëtarëve të KQZ-së i takon shumicës dhe gjysma tjetër opozitës. Kërkojmë ndarjen në mënyrë të barabartë të administratës zgjedhore. Prishja e barazpeshës me ikjen e LSI-së nga koalicioni cënon standartet e zgjedhjeve. Koalicioni i fundit me këtë formulë është paralajmërim për manipulim. Partia Republikane ka paraqitur kandidaturat për anëtarin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ” është shprehur Strazimiri.

Kjo situatë ka sjellë debat dhe tensione të forta në Komisionin e Ligjeve.

Deputetët e PS-së në komision janë shprehur se me kërkesën e PD për KQZ-në cënohen standardet demokratike.“Kërkesa e PD është një skandal, nuk ka një nen të Kodi Zgjedhor që t’i referohet. Ky është një precedent, sipas të cilit kur ne të vijmë në pushtet, t’i fshijmë. Po luani me vullnetin e popullit, ftoj deptetët e maxhorancës të reflektojnë” është shprehur deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

“Grupi i PD po dërrmon shtyllën kurrizore të proçesit zgjedhor” u shpreh deputeti Damian Gjiknuri ndërsa Pandeli Majko është shprehur se po shuhen shpresat për proçes zgjedhor sipas standardeve. “Grupi i PD po tregon që vepron  ligji i më të fortit” tha Majko

Ndërsa kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmajli është shprehur se proçedura e kërkon që komisioni të shprehet në lidhje me kërkesën e grupit të PD-së.Por pavarësisht këtij debati, Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve ka votuar kërkesën e Partisë Demokratike për lirimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho.Në mbledhjen e komisionit ishte i pranishëm edhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço si palë e interesuar. Pas votimit nga mazhoranca për lirimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, deputeti Naço është shprehur për “Ora Neës”, për proçedurat antiligjore që po ndjek Partia Demokratike.“Kërkesa e bërë nga Partia Demokratike për lirimin e Muhos ishte antiligjore. Me këtë që bën sot Partia Demokratike ka nisur një rrugë të gjatë për të qëndruar në opozitë. Ne do të presim edhe datën 23 kur miratohen edhe koalicionet në KQZ. Do të diskutohet edhe në grupin parlamentar të LSI, pasi janë janë forume të tjera ato që do të vendosin. Sot ishte një atentat që Partia Demokratike i bën infrastrukturës zgjedhore të zgjedhjeve të 23 Qershorit”, u shpreh deputeti i LSI-së.Po ashtu Komisioni i ligjeve kaloi për votim në seancë dy propozimet e tjera të sjella nga Partia Republikane, si parti e dytë e koalicionit qeveritar për anëtarët e KQZ-së. Partia Republikane risolli si kandidat ish anëtarin e KQZ-së Klement Zguri dhe Patriot Çobën, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në këtë seancë dëgjimore.

Në këtë mënyrë këtë të Enjte, kuvendi voton për lirimin nga detyra si anëtar të KQZ-së, për Ilirian Muhën, I propozuar nga LSI, si dhe do të votojë për kandidatët e Partisë Republikane, ku kandidati që do të marrë shumicën e thjeshtë të votave në parlament,do të emërohet anëtari i KQZ-së.