KKRT sqaron komentet në lidhje me Raportin për vitin 2012
Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit (KKRT), me anë të një deklarate për mediat, ka sqaruar komentet e bëra nga disa subjekte televizive, në lidhje me Raportin e punës të KKRT-së për vitin 2012, në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë.Në deklaratën e KKRT, thuhet:“Për sa i përket komenteve në lajme në lidhje me “uljen e autoritetit të KKRT-se, për shkak të mosveprimit të këtij institucioni”, dhe referimeve mbi mosvjeljen e gjobave nga Drejtoritë Tatimore, sqarojmë se kryetarja e KKRT-së gjatë fjalës së saj, ka theksuar boshllëqet ligjore që penguan ushtrimin e plotë të kompetencave të autoritetit rregullator dhe në vazhdim ka sqaruar se me miratimin e ligjit të ri, ky institucion do të ketë të gjitha kompetencat e nevojshme për kryerjen e funksioneve të tij si autoritet rregullator. Lidhur me akuzën e bërë nga një deputet i opozitës, për mosveprim të KKRT-së në lidhje me një çështje gjyqësore të një subjekti televiziv kombëtar, KKRT-ja sqaron se marrëdhënia juridiko-civile për godinën ku ushtronte veprimtarinë e tij ky subjekt, është tërësisht jashtë sferës së kompetencës së KKRT-së si autoritet rregullator në fushën e mediave audiovizive.”