Seria A, lojtarët pa kontratë, pritet të ndryshojnë ambient

Ndërsa skuadrat e mëdha të Serisë A përgatiten për goditjet e tyre në merkato për sezonin e ardhshëm, disa kontrata të lojtarëve të rëndësishëm janë në skadence dhe shumë yjeve të këtij kampionati mund të largohen jashtë apo të ndërrojnë fanellë.  Nga Pirlo tek Boateng, lista e atyre që do të hyjnë në vitin e fundit të kontratës është e gjatë. Në mungesë rinovimi, mund të parapëlqehet të shiten nga ekipet e tyre për të mos t'i humbur me parametra zero në 2014-n.Me Milanin që ka shtyrë të gjithë rinovimet për në fund të sezonit, e ardhmja e disa futbollistëve kuqezinj është më e paqarta. Antonini dhe Robinho do të mbeten pa kontratë në 2014-n, prandaj pritet që skuadra të përpiqet të gjejë një sistemim për ta në merkato. Por kryesorja do të jetë përcaktimi i të ardhmes së Boateng një nga lojtarët më të rëndësishëm të kuqezinjve.Tek Interi, në axhendën e rinovimeve janë Cassano, Milito e Cambiasso. Ndërsa për Cassanon rinovimi deri në 2015-n dukej diçka e kryer pak muaj më parë, tashmë situata është ndërlikuar. Për Militon duhet vlerësuar më parë rikthimi pas dëmtimit që do ta mbajë jashtë deri në fund të këtij sezoni, ndërsa Cambiasso, nga ana e tij është shprehur optimist mbi mundësinë e një viti më shumë.Midis futbollistëve të tjerë të mëdhenj, mbetet paqartësia e Pirlos dhe Tottit. Të dy përfundojnë kontratat aktuale në 2014-n dhe mosha e tyre ngre pikëpyetje, ndonëse pritet që Juventusi t'i ofrojë së shpejti fantazistit një vit më shumë, ashtu si Roma kapitenit 37-vjeçar që sot mbush 20 vite në Seria A.Mes futbollistëve të tjerë që mund të tërheqin vëmendjen, përfundojnë kontratën në 2014-n  edhe Di Natale, Ljajiç, e Zarate .