Bashkia e Tiranës jep leje përdorimi për 36 objekte
Bashkia e Tiranës i hap rrugë hipotekimit të 36 objekteve të para, të ndërtuara gjatë viteve 2001-2008, me shkelje të lejes së ndërtimit. Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në prani të kryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika dhe kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka ka firmosur lejet e përdorimit për 2 mijë apartamente me përfitues direkt 8 mijë qytetarë të Tiranës. Kryebashkiaku Basha ka garantuar edhe njëherë për vendosmërinë tij, në përfundimin sa më parë të procesit të hipotekimit, duke bërë në këtë mënyrë pronarë të shtëpive të tyre, qytetarët e Tiranës.“Procesi është një shenjë e qartë e vullnetit, për t’i shkuar deri në fund premtimit që qytetarët e Tiranës të mos mbeten peng i papërgjegjshmërisë, nga njëra anë e ndërtuesve që ndërtuan duke shkelur kushtet e lejes dhe nga ana tjetër natyrisht përgjegjësisë së pashmangshme të pushtetit vendor, për të kontrolluar dhe disiplinuar punimet gjatë fazës së punimeve. Duke dhënë këto 36 leje përdorimi, që u shërbejnë drejtpërdrejt 8000 qytetarëve të Tiranës, ne kemi hapur rrugën edhe për trajtimin e afro 200 objekteve të tjera që mbeten. Për afro 100 prej këtyre objekteve, jemi në proces të përfundimit të dokumentacionit. U bëj thirrje subjekteve ndërtuese të këtyre 100 objekteve të procedojnë pa vonesë, për të përmbushur hapat e fundit që i ndajnë nga marrja e lejes së përdorimit. Nga ana tjetër, për afro 100 subjekte të tjera ndërtuese që përfaqësojnë 100 objekte të tjera ndërtimi, kemi hasur një problematikë e cila konsiston në mungesën fizike, juridike apo mungesën totale të vullnetit për të ndjekur hapat e nevojshëm” tha Basha.Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka informuar edhe mbi ecurinë e deritanishme të procesit të hipotekimit ku sipas tij janë 120 objekte të hipotekuara, një pjesë e madhe e të cilëve për vite me radhë nuk ishin pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për hipotekim nga Bashkia dhe 59 objekte të pajisura rishtas me leje përdorimi.“Dua të risjell në vëmendje se ky hap është hapi i dytë në këtë proces i cili ka nisur prej kohësh, me afro 59 dosje të dorëzuara vetëm gjatë vitit 2012 tashmë, të proceduara pjesa më e madhe në Zyrën e Regjistrimit të pasurive të Paluajtshme në Tiranë. Nga këto, 24 kanë përfunduar hipotekimin, 23 janë në proces të regjistrimit gjithsej 1500 apartamente. Bëhet fjalë për afro 6 mijë banorë që janë përfitues. 12 objekte nuk kanë aplikuar akoma pranë ZRPP, ndaj u bëj thirrje 12 subjekteve që përfaqësojnë këto 12 ndërtesa të larta me shumë banorë, të interesohen pa vonesë për të përmbyllur procesin e regjistrimit pranë ZRPP.Duke garantuar edhe njëherë, në radhë të parë qytetarët e Tiranës, banorët, pronarët legjitimë të këtyre banesave për vullnetin e Bashkisë së Tiranës për t’i shkuar deri në fund procesit, Basha ka garantuar ndërtuesit se ai është i vendosur që asnjë subjekt ndërtues dhe asnjë subjekt juridik apo fizik nuk do të mund të shërbehet në Bashkinë e Tiranës, nëse ka çështje të pambyllura në raport me procesin e hipotekimit të banesave dhe pronave të qytetarëve të Tiranës.Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve të Tiranës Avenir Kika, u shpreh i sigurt se në bashkëpunim me Bashkinë, brenda 2013 do të përfundojë procesi i hipotekimit të 380 objekteve në kryeqytet.“Duam edhe njëherë të theksojmë qe puna ka qenë super voluminoze, ka qenë një punë e jashtëzakonshme. Kini parasysh se 380 objekte që përfundojnë në vitin 2013 janë mbi 45 mijë apartamente, mbi 100 mijë banorë të prekur në qytetin tonë. Ne, si shoqatë ndërtuesish duke e ndjerë peshën e kësaj përgjegjësie, angazhohemi sot që brenda këtij viti, sforcot tona do ta mbyllin këtë proces dhe në Tiranë çdo familje që ka pasur mundësinë e blerjes së një apartamenti por të pa hipotekuar, do të ketë mundësinë e blerjes së një apartamenti të dytë, duke e lenë këtë apartament në hipotekë. Edhe njëherë ju falënderoj për bashkëpunimin!” tha Peka.Ndërsa Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ka theksuar se tashmë është ndihet një marrëdhënie, një partneritet, dhe një bashkëpunim me vullnet pozitiv të Bashkisë së Tiranës me sipërmarrjen private.“Janë këto bashkëpunime që kanë çuar në frytin e kësaj tryeze, ku sipërmarrja, Shoqata e Ndërtuesve, Dhoma e Tregtisë me dashamirësinë maksimale kanë marrë angazhimin për të qenë pjesë e një kontributi, ku një pjesë e sipërmarrësve në industrinë e ndërtimit të mbulojnë me shpenzime konkrete pjesën tjetër, të cilën mbasi janë në pamundësi nuk janë prezent për të mbuluar detyrimet që kanë ndaj Bashkisë, por ajo që është finalja dhe që u transmetua shumë qartë nga Kryetari i Bashkisë është përfitimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve të Tiranës” theksoi Jaka.