Wollfarth: Prezenca e OSBE-së nxit bashkëpunimin ndërpartiak në Shqipëri
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, organizoi sot një drekë pune për deputetet e Kuvendit, për të vënë në dukje arritjet në promovimin e rolit të grave në jetën politike dhe për të nxitur rritjen e mëtejshme të përfaqësimit të tyre në legjislaturën e re."Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka qenë një mbështetëse e fortë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike. Ne kemi zhvilluar programe për rritjen e kapaciteteve të grave në role drejtuese dhe kemi ndihmuar në komunikimin e deputeteve me zgjedhësit e tyre. Përveç kësaj, kemi ndërtuar struktura bashkëpunimi për afërsisht 1 500 gra nga politika në nivelin kombëtar e vendor, shoqëria civile dhe biznesi. Gëzohem kur shoh se të gjitha këto përpjekje po japin fryte dhe se deputetet janë pararoja e bashkëpunimit ndërpartiak," tha Ambasadori Wollfarth, në veprimtarinë e sotme."Listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e qershorit do të hartohen së shpejti. Unë do të shpresoja dhe prisja të shihja një numër grash në pozicione 'të mira' në listat e partive, në përputhje me frymën e kuotës gjinore. Kjo, jo vetëm do të dërgonte një sinjal të fortë për angazhimin e partive në përmbushje të kuotës gjinore, por do të shërbente edhe si një nxitje e mëtejshme për pjesëmarrjen e grupeve që nuk janë të përfaqësuara sa duhet në jetën politike shqiptare," shtoi ai.Veprimtaritë e Prezencës për promovimin e grave në qeverisje mbështeten në përvojën rajonale të OSBE-së në përkrahjen e përpjekjeve të shtetit dhe organizatave joqeveritare për zbatimin e objektivave më ambicioze për barazinë gjinore.