Berisha apel opozitës: Voto ligjet e kërkuara nga KE-ja për statusin

Kryeministri Berisha i ka bërë sërish apel opozitës të votojë 3 ligjet që kërkohen nga Komisioni Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat.Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se opozita nuk do të fitojë kapital politik duke bllokuar ligjet e kërkuara nga KE-ja."Nuk fitohet kapital politik duke bllokur tre ligje që dëshmojnë vullnetin tonë për të konsoliduar më tej reformat. Nga njëra anë derdhin një sulm për drejtësinë ndërsa nga ana tjetër nuk votohet ligji për Gjykatën e Lartë. Nga njëra anë kërkojnë ndryshimin e ligjit të nënpunësit civil dhe nga ana tjetër hezitohet për të votuar ligjin që është hartuar me ekspertizën më të mirë  dhe me paratë e KE-së. Unë mendoj se bllokimi dhe mos miratimi i ligjeve nuk janë mesazhet që presin shqiptarët në prag të kësaj ngjarje të madhe për rekondimin e KE-së për marrjen e statusit” tha Berisha.

Berisha, duke u ndalur në historinë e zhurmimit të celularëve gjatë punimeve të Asamblese ka akuzuar Ramën se po e kthen partinë që drejton në bunker, ndërsa ka shtuar se pas këtij veprimi ai duhet t`u kërkojë falje deputeteve dhe stafit të lokalit ku ndodhi gjithë ngjarja.“Rama ka bërë abuzim madhor në raport me të drejtat e njeriut. Ku e gjeti ai këtë frymëzim? Vetëm në arkivat e Partisë së Punës, se aty përdoreshin regjistrimet, shpifjet, coptimet e fjalëve, ngjitjet. Është e tëra rikthim tek bunkeri”- tha Berisha, duke shtuar madje se pergjimi po behet me keq se ne kohen e Enver Hoxhes.
Shefi i qeverisë  e ka cilësuar gjithashtu si një ngjarje të madhe vizitën e sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton në Shqipëri.
"Vizita e sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton këtë javë në Shqipëri është një ngjarje  e shënuar.  Është një ngjarje e madhe e cila në kurorën e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë përbën edhe momentin më kulmor të këtyre festimeve pasi Clinton vjen në Shqipëri për të shprehur nderimin e saj për kombin shqiptar në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ajo vjen si një mike e madhe dhe sjell mesazhin e kombit dhe e vendit të madh.  Është një rast shumë i veçantë për cdo shqiptar për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj sekretares Klinton pasi në këto 100 vite  shqiptarët ia dolën dhe e kryhen sepse patën mbështetjen e madhe dhe përcaktuese të qeverisë së SHBA-së” tha Berisha.Kreu i qeverisë i është përgjigjur edhe akuzave se qyteti i Vlorës është përjashtuar nga festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë duke i cilësuar ato si të turpshme dhe primitive."Vlora as nuk është përjashtuar por është përfshirë në mënyrë thelbësore në protokollin e festimeve dhe asnjë variant nuk ka pasur për të përjashtuar atë. Festimet fillojnë në Shkup më datën 25 nëntor pasi Shkupi është epiqendra e nisjes dhe vazhdojnë në Prishtinë me inagurimin e rrugës. S`ka mënyrë më të mirë për të festuar sesa inagurimi i autostradës Morinë-Prishtinë dhe vazhdojmë në Vlorë dhe më pas festimet do vijojnë në Tiranë më datën 28 nëntor. Është bërë një program dinjitoz sepse ky është kontribut i të gjitha trevave shqiptare, e kryengritjeve të Kosovës, e përpjekjeve të mëdha të trevave të tjera” tha Berisha.