Konventa Kombëtare e LSI, Meta: Ti japim fund politikave bllokuese

Ilir Meta, i rimandatuari në krye të LSI ka apeluar partitë politike ti japin fund filozofive të bllokimit dhe ti hapin rrugë integrimit të vendit. Nga pallati i sportit “Asllan Rusi”, ku po mban punimet Konventa Zgjedhore e kësaj partie, Meta ka përsëritur dhe një herë thirrjen ndaj forcave politike të bëjnë të vetën axhendën kombëtare të integrimit jo vetëm në programe, por me vepra për të kaluar sa më shpejt të jetë e mundur tre kushtet për statusin kandidat.“Sot jemi më pranë se asnjëherë vendimit për marrjen e statusit, kanë mbetur dy ligje dhe një rregullore për tu votuar, një situatë absurde e prodhuar nga politika e konfliktit dhe mureve ndarëse. Le të shembim muret dhe të ndërtojme urat e komunikimit, axhenda e integrimit duhet të jetë jo vetëm në programet e partive, por në veprime konkrete”deklaroi Meta.Ndërkaq kreu i LSI-së ka premtuar nje LSI me te forte, qeverisje te qendrueshme e qe synon mireqenien e qytetareve, duke iu referuar këtu edhe suksesit të qeverisjes përmes koalicionit me PD.“Parimet dhe filozofia jonë ka nevojë për kontributin e të gjithëve. 3 vjet më parë vendosëm të thyejmë një tabu në emër të stabilitetit dhe integrimit dhe këtë do vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen. 3 vjet pas koalicionit, shqiptarët lëvizin të lirë në hapësirën Shengen, sot institucionet janë më të qëndrueshme, ligjet janë më të mira dhe qëndrueshme dhe aty është dhe kontributi ynë, sot jemi më pranë se anjëherë drejt integrimit të vendit. Janë mbrojtur vendet e punës por janë krijuar edhe vende të reja, zhvillime në infrastrukturë, reforma në shëndetësi, arsim dhe ekonominë e vendit. Nuk dua të zbus realitetin, i cili mbetet ende i vështirë, por dua të garantoj për kontributin e vazhdueshëm të LSI-së” shtoi ai.Ndërkaq Meta ka premtuar hapësira për të rinjtë dhe gratë në LSI, burime të cilat i vlerësoi si frymëzim i rrezatimit dhe suksesit të kësaj partie, që prioritet të prioriteteve ka familjen europiane.Konventa e LSI-se ka bashkuar gjithë faktorin politik shqiptar të rajonit. Konventa e LSI-së do të përshëndetet nga Hajredin Kuçi (PDK e Kosovës) zv.kryeministër-ministër i Drejtësisë, Arben Gashi (deputet i LDK-së), Ahmet Isufi (nënkryetar për të Ardhmen e Kosovës – AAK`), Vegim Gashi (n/kryetar i “Aleanca Kosova e Re”). Gjithashtu, në Konventën Kombëtare të LSI-së do të përshëndesin dhe faktorët politikë shqiptarë të Maqedonisë, si Ali Ahmeti (kryetar i BDI-së), Menduh Thaçi (kryetar i PDSH-së), Rufi Osmani (kryetar i Rilindja Demokratike Kombëtare).Edhe përfaqësues të partive shqiptare të Malit të Zi do të përshëndesin Konventën e LSI-së, si Genci Nimanbegu (Forca e Re Demokratike-FRD). Por nuk do të mungojnë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa (kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare-PDSH), Riza Halimi (kryetar i Partia për Veprime Demokratike- PVD) dhe Jonuz Musliu (Kryetar i Lëvizja e Progresit Demokratike-LPD).Gjate punimeve te Konventes, qe eshte dhe forumi me i larte i kesaj force politike, pritet te zgjidhet komiteti i ri drejtues , si edhe te miratohen ndryshimet ne 2 dokumenta baze te funksionimit te LSI, statuti dhe programi.