Krujë, vdesin 2 dasmore nga helmimi, nusja në spital

Dasma është kthyer në mort në Mamurras, ku dy dasmore kanë ndërruar jetë për shkaqe ende të paqarta. Mrika Gega 45 vjeçe dhe Prenusha Prendi 55 vjeçe, kanë ndërruar jetë rrugës për në spital, pak orë pas ceremonisë festive që është mbajtur në një lokal në fshatin Bushnesh.Por ngjarja bëhet akoma më tragjike, pasi edhe nusja e re, Pashke Gega, 21 vjeçe është ndjerë keq dhe është dërguar me urgjencë në spital dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në reaminacionin e urgjencës së QSUT-së në Tiranë.Mjekët thonë se 21-vjeçarja, e cila po festonte ditën më të bukur të jetës, po mbahet nën vëzhgim të rreptë pasi gjendja e saj shëndetësore paraqitet e rëndë dhe ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën. Mirëpo mjekët ende nuk kanë mundur të përcaktojnë shkakun e kësaj gjendje.Ndërkohë që Alfred Gega, vëllai i Pashke Gegës tha se janë tepër të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë e cila ngelet e mistershme. Sipas vëllait është e vështirë të besohet pista e helimit nga ushqimi pasi në dasem ishin edhe shume të ftuar të tjerë që kanë konsumuar të njëjtën menu. Ndërkohë që po ashtu vëllai i nuses përjashton edhe mundësinë e ndonjë asfiksie të mundshme në banesë pasi në dhomë nuk ka pasur asnjë pasisje për ngrohje.Policia njoftoi se dy viktimat Gega dhe Prendi janë gjetur në gjendje të rëndë në dhomën ku po flinin pas dasmës dhe rrugës për në spital, ato kanë humbur jetën. Policia e Mamurrasit ka nisur menjëherë hetimet duke nisur fillimisht punën në restorantin ku u organizua ceremonia e dasmës.Sipas hetimeve të para, dyshohet se viktimat kanë vdekur për shkak të helmimit nga ushqimi, por familjarët thonë se asnjë nga dasmorët e tjerë nuk ka patur probleme të tilla pas dasmës. Mësohet se dy viktimat dhe nusja, ndodheshin në të njëjtën dhomë dhe pas orës 3 të mëngjesit kanë dhënë shenjat e para të përkeqësimit të shëndetit.