Basha: Heqje të licensës për çdo operator që do rrisë çmimin e biletës

Nëse ndonjë nga operatorët e transportit urban do të rrisë çmimin e biletës  ai do të përballet me heqje të menjëhershme të licensës.Ky ishte paralajmëri i kryetarit të bashkisë Lulzim Basha pas deklaratës së djeshme të Shoqatës kombëtare të transportit e cila kërkoi rritjen në 70 lekë të biletës së urbanit.Gjithashtu, Basha theksoi se Bashkia është në proces studimi për të vërtetuar nëse duhet të ndërmerren hapa për të rritur çmimin e biletës apo jo."Ne jemi në proces të një studimi i cili do të vërtetojë nëse ka apo jo nevojë për të ndërmarrë hapa në drejtim të strukturës së çmimit. Pas këtij studimi, autoritetet përkatëse, pasi është një proces i cili kërkon një vendimmarrje më të gjerë, do të shqyrtojnë hapat e nevojshëm në këtë drejtim dhe në mënyrë transparente me operatorët do të diskutohen konkluzionet e studimit. Ne jemi dhe gjithmonë kemi qenë të hapur për një komunikim serioz me operatorët e transportit publik në Tiranë. Sigurisht, ata sikundër edhe ne jemi në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Operatorët e transportit publik, ndërkohë që kanë qenë dhe shpresoj se do të vazhdojnë të jenë një ndihmë në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë për qytetarët e Tiranës nuk janë qëllim në vetvete, janë thjesht një instrument. Qëllimi është një shërbim sa më i mirë, cilësor e me kushte të pranueshme për qytetarët e Tiranës dhe për këtë ekziston kontrata. Këto kontrata duhet të zbatohen në mënyrë të plotë dhe rigoroze. Çdo hap i njëanshëm deklarativ apo faktik i çdo operatori apo i çdo përfaqësuesi të operatorëve do të vendosë automatikisht në lëvizje hapa të njëanshëm sipas kontratës, deri në revokimin e kontratës ndaj atyre që shkelin kontratën” tha Basha.Ndërkohë Shoqata kombëtare e transportit kërkoi dje rritjen e çmimit të biletës së urbanit në kryeqytet me 70 lekë me arsyetimin se është rritur çmimi i karburantit.Aktualisht çmimi i biletës në linjat urbane në kreqytet është 30 lekë dhe kjo rritje do të sillte dyfishim të çmimit për xhepat e qytetarëve.