Dita e Verës, festime në Elbasan

Festimet për Ditën e Verës në Elbasan kanë shërbyer për deklarata politike për krerët e politikës.   Kryesocialisti  Edi Rama duke folur nga panairi i çelur me këtë rast tha se pas 23 qershorit do të rilindë edhe biznesi në vend duke  bërë që të përmirësohet situata  ekonomike.“Prej vitesh është dita e parë e verës me shi dhe jam i bindur që ky shi është bereqet. E ndiejmë dhe e prekim me forcën e imagjinatës atë që vjen pas këtij shiu dhe pas 23 qershorit, një rilindje për ekonominë dhe për biznesin” tha Rama.Përfaqësuesit e mazhorancës në këto festime, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe  Zëvendës kryeministri, njëkohësisht edhe ministri i ekonomisë Edmond Haxhinasto janë shprehur se përfundimi i rrugës Tiranë- Elbasan do të jetë mundësia më e mirë për zhvilluar biznesin e kësaj zone.“Unë u bëj urimet bizneseve për kurajon e madhe dhe për arritje e tyre duke besuar që vitin e ardhshme numri I tyre do të jetë edhe më i madh duke sjellë edhe më shumë punësim” tha Topalli.“Kemi pasur zhvillime për biznesin por kemi edhe plane të tjera në mënyrë që Elbasani të ketë një presporitet më të madh. Një lajm I gëzuar është rruga dhe ky do të jetë një zhvillimi I madh për Elbasanin”tha Haxhinasto.Për të 16 vit radhazi biznese të ndryshme jo vetëm nga Elbasani ekspozojnë prodhimet dhe biznesin e tyre në panairin  e Elbasanit i cili çelet specifikisht për Ditën e Verës.Ndërkohë kryeministri Berisha në rrjetin social Facebook ka uruar të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës."Gëzuar Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë! Të dashur miq, sot ne festojmë Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë. Para nisjes për në Bruksel, ju uroj së pari qytetarëve të Elbasanit, kryeqytetit të festës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Gëzuar Ditën e Verës, festën e luleve, lulëzimit, shpresës, gëzimit, hares që sjell pranvera. Uroj shëndet, lumturi, mbarësi dhe suksese për të gjithë!” ka uruar kryeministri.