Paloka: Tek PS-ja zgjedhja e deputetëve është kthyer në tender

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në intervistën e tij për RTV “Ora News” ka folur për zgjedhjet e 23 Qershorit dhe diskutimet e fundimit për votimin e 16-vjeçarëve.“Gjatë gjithë kohës ka patur mjaftë nisma dhe vendime lidhur me rininë. Kjo nuk është një demagogji e rradhës por është një lëvizje në vazhdën e mbështetjejes që i është dhënë rinisë shqiptare nga Partia Demokratike. Ajo që unë nuk kuptoj është pse Edi Rama është kundër kësaj nisme , pse është kundër rinisë. Ai që pretendonte se mbështetej tek rinia sot ka frikë prej tyre. Fakti se nuk ka kohë është një justifikim nga ana e Ramës” u shpreh Paloka.Në lidhje me deklaratat e Partisë Socialiste se PD-ja po i vjedh programin, Edi Paloka u shpreh: “Kjo puna e kopjes del interesante, sepse Rama në 2009 nxorri një bllok të madh bosh dhe e paraqiste për program, kurse tani thotë se e ka shkruar programin në pëllëmbë të dorës. Kjo është një mënyrë tjetër talljeje. Nuk jemi ne që po kopjojmë pasi nuk kopjohet një program i shkruar në dorë. Ne jemi në qeverisje dhe po i bëjmë gjërat. Rama duhet të thotë se çfarë ka ndër mend të bëjë, jo ato që po bëjmë ne. Nuk mund të thuash ma kopjoi qeveria diçka sepse ne jemi në qeveri dhe ne deri në ditën e fundit që do të qeverisim do të marrim vendime, do të veprojmë, do të bëjmë akte.”“Kemi 8 vjet që qeverisim dhe i njohim më mirë hallet e shqiptarëve, jemi më komodë dhe e kemi më të lehtë të nxjerrim prioritetet që do të ketë qeverisja e nesërme e Partisë Demokratike. Ne  jemi realistë kurse Rama flet për një realitet virtual, të cilin ai e krijon vetë.Shqiptarët kanë nevojë të dinë se çfarë do të bëhet me ta dhe ne do ta bëjmë këtë me argumente dhe jo me fjalë ashtu si po e bën Partia Socialiste. Rama thotë që do të rrisë taksat dhe do të hap vende pune. Këto janë në kundërshtim me njëra tjetrën, pasi nuk hapen vende pune po u rritën taksat. Programi i Ramës është që do të rrisë taksat, por po u rritën taksat goditet biznesi, dhe nuk mund të happen vende pune, pasi biznesi është ai që hap vende pune. Taksa që përmend Rama është thjesht rritje taksash, ai e thotë në mënyrë të zbutur por ajo është shkatërrimi i biznesit.”Në lidhje me listat emrave për deputetë të Partisë Demokratike, Paloka u shpreh: “Ne kemi deputetët në parlament, të cilët kanë detyrimet e tyre ndaj qytetarëve deri në ditën e fundit të mandatit. Pavarësisht se si do të ndryshojnë listat, a do të jenë apo jo këta deputetë në listat e reja, ne vazhdojmë të jemi në detyrën tonë deri ditën e fundit. Në përzgjidhjen që do të bëhet do të ketë ndryshime qoftë në emra qoftë në lëvizje qarqesh. Tek ne zgjedhja e deputetëve nuk është një dramë , si është tek Partia Socialiste. Tek PS-ja zgjedhja e deputetëve është kthyer në tender. Rama zgjedh për deputetë  biznesmenë, të cilët nuk i njeh më as qyteti i tyre.”“Karta më e fortë e Partisë Demokratike është dhe slogani ynë. Ne jemi në rrugë të mirë dhe kemi treguar se çfarë premtojmë ne e realizojmë. Njerëzit e ndiejnë që ndryshimi që ata kërkojnë është tek PD-ja dhe jo tek Rama dhe tek PS-ja. Vullneti ynë është i qartë, të realizojmë ato që premtojmë.  Besimi i qytetarëve tek ne është arma më e fortë që ne do të kemi."