Mbërrin në Shqipëri trupi i biznesmenit Anton Stanaj

Trupi i Anton Stanaj ka prekur tokën shqiptare 5 ditë pas vdekjes larg vendlindjes së tij.Biznesmeni i njohur i hidrokarbureve u qëllua në rrethana ende të mistershme në Sudan, ndërsa kryente aktivitetin e tij të biznesit. Trupi i pajetë mbërriti në aeroportin e Rinasit rreth orës 18.30 ku e prisnin shumë njerëz që e përkrahën dhe e mbështetën në aktivitetin e tij të tregtisë, që nisi në Malin e zi dhe u bë zotërues i tregut të Ballkanit.Familjarë, miq, kolegë, drejtues të pushtetit lokal shqiptar në Mal të Zi dhe deputetë nga të dy anët e kufirit, kanë pritur për orë të tëra arkivolin me trupin e pajetë të Anton Stanajt. Respekti dhe dhimbja për ndarjen në mes të jetës së Antonit u përkthyen në lot dhe shi në Rinas, ku kortezhi mortor mori rrugën për në vendlindje ku do të prehet përjetë njeriu që mes shqiptarëve të Malit të Zi, la gjurmët e suksesit në të gjithë rajonin dhe më gjerë.Anton Stanaj u vra në 8 Mars në Sudan, në rrethana ende të pasqaruara mirë dhe pas ekspertizës, trupi u soll pas një rruge të gjatë në atdheun e tij, për të cilin punoi nëpërmjet biznesit të suksesshëm.