Nishani dhe Berisha, mesazh urimi Papa Franciscus
Kreu i shtetit Bujar Nishani dhe kryeministri Sali Berisha i kanë dërguar sot një mesazh urimi Atit të Shenjtë, Papa Franciscus për zgjedhjen e tij në krye të Selisë së Shenjtë.Në mesazhin e urimit, presidenti Nishani thekson se pret të vijojë bashkëpunimi i frytshëm me Selinë e Shenjtë.“Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe gëzimin e veçantë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj si Papa Franciscus I dhe t’Ju uroj suksese në përmbushjen e misionit Tuaj të shenjtë Papnor! Unë pres me padurim për të vazhduar bashkëpunimin tradicional dhe të frytshëm me Selinë e Shenjtë, në të mirë të promovimit të vlerave universale të paqes dhe mirëkuptimit, në bashkësinë katolike dhe në të gjithë popujt, në rajonin tonë dhe më gjerë! Duke Ju përcjellë dëshirën time dhe të popullit shqiptar për t’Ju mikpritur së afërmi në Tiranë, Ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” thuhet në mesazhin e presidentit Nishani.Ndërsa kryeministri Berisha ka theksuar se shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale me Atin e Shenjtë ndërsa i ka shprehur atij dëshirën që të vizitojë Shqipërinë.“Shqiptarët vlerësojnë lart vizionin, përkushtimin e kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në shërbim të drejtësisë sociale dhe në ndihmë të të vobektëve e të vuajturve si një ndër shprehjet më domethënëse të dashurisë e humanizmit të krishterë, një ndër virtytet më të lartë të Kishës së Jezusit. Ndaj së bashku me qytetarët e vendit tim, ndaj bindjen e thellë së nën udhëheqjen tuaj, me përkushtimin e urtësine hyjnore që ju karakterizon, Selia e Shenjtë do të vijojë të japë kontributin e saj të pacmuar e thelbësor në forcimin e besimit ndaj Zotit, në përhapjen e fjalës së Tij të Shenjtë për dashuri e ndihmë reziproke mes njerëzve, si edhe në promovimin e mëtejshëm të paqes, bashkëpunimit e miqësisë në botë. Shqipëria dhe shqiptarët ruajnë lidhje tradicionale të ngushta e të shkëlqyera e me Selinë e Shenjtë e me Atin e Shenjtë ndaj edhe dëshiroj me këtë rast t’ju ripohoj dëshirën time të madhe dhë të gjithë shqiptarëve t’ju mikpresim në Shqipëri si Ati më i lartë shpirtëror i bashkatdhetarëve tanë të besimit katolik e më gjerë, por edhe si një mik i madh e i shquar i kombit shqiptar” ka theksuar Kryeministri.