Rama-deputetëve: Intensifikoni komunikimin me qytetarët

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kërkoi nga deputetët të intensifikojnë komunikimin me qytetarët si një sukses në zgjedhjet e 23 qershorit.Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama theksoi se takimet e deputetëve në terren janë edhe njësia matëse për punën e gjithësecilit."Axhenda e secilit prej nesh është një kusht i patjetërsueshëm për suksesin.  Komunikimi përmes rrjeteve sociale është domosdoshmëri nga çdo deputet për të rritur shkallën e informimit dhe për ta ulur efektin e desinformimit të medias së pushtetit. Ja pse kontaktet e drejtëpërdrejta janë rruga më e mirë dhe e pazëvendësueshme për të përçuar në çdo familje programin tonë ” tha Rama.Rama ka theksuar gjithashtu se programi për një rilindje shqiptare i jep përgjigje të gjitha shqetësimeve të qytetarëve."Njerëzit kanë shqetësim për rënien e fuqisë blerëse dhe programi ynë i jep përgjigje me ulje taksash prej 95 përqind të shqiptarëve. Shqiptarët shprehin shqetësim për rënie të punësimit dhe zgjidhja jonë është 300 mijë vende të reja vende pune me votën e 23 qershorit për një rilindje shqiptare. Ne kemi përgjigje të saktë edhe për biznesin e vogël duke hequr taksën, për të filluar lehtësimin e sipërmarrjeve që vetëpunëson njerëz.  Njerëzit kanë problem me pamundisinë për kujdes shëndetësor dhe programi ynë e ka zgjidhjen. Përmbysja e skemës së dështuar të financimit dhe vendosja e një sistemi të ri që është mbulimi universal që çdokush ta marrë kujdesin shëndetësor si nevojë publike që ofrohet sipas nevojës dhe jo sipas xhepit” tha Rama.Në mbledhjen e grupit parlamentar Rama ka vlerësuar edhe mikëpritjen e Shkodrës për prezantimin programit të PS-së, duke thënë se vëmendja me të cilën u ndoq çdo pjesë e programit ishte testi më i sigurtë për përmbajtjen e tij.