Moisiu: Të bëhet kujdes në përzgjedhjen e kandidatëve për deputet
Ish-presidenti Alfred Moisiu ka kërkuar nga partitë politike që të heqin dorë nga retorikat antagoniste dhe të tregojnë kujdes me përzgjedhjen e kandidatëve për deputet.Duke folur në tryezën e organizuar nga "Forumi 2010", ish-presidenti Moisiu theksoi se pas mëse 22 vitesh duket qartë mungesa e dëshirës për një fushatë bashkëkohore, ndërsa dominojnë dukshëm teoritë e makiaveliste për të arritur fitoren me çdo kusht."Ne i bëjmë thirrje partive politike që të heqin dorë nga retorikatë antagoniste, që ndikojnë në polarizimin mëtejshëm të shoqërisë, të bëjnë kujdes në zgjidhjen e kandidatëve për të përzgjedhur persona me aftësi për të përfaqësuar drejt interesat madhore publike dhe kombëtare. Që të kenë dëshmuar aftësi për të parë më shumë se politika e ditës” tha Moisiu.Gjithashtu ish-presidenti Moisiu theksoi se situata parazgjedhore nuk është optimiste, ndërkohë që deri tani po duket se ende pas 22 vitesh mungon kultura politike evropiane për shtet të qëndrueshëm demokratik dhe zgjedhje bashkëkohore.“KQZ që ne mbledhjet e para pati përplasje me orientim partiak, po kështu përcaktimi i numrit të deputeteve që është detyrë e KQZ iu kalua Kuvendit dhe Kushtetueses, në vend të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje konsensuale për përgatitjen e zgjedhjeve shihet tendencë e dëmshme për ta kaluar zgjidhjen përmes institucioneve të destinuar për tjetër qëllim” tha Moisiu.Sipas tij, politikanët janë ende larg zgjidhjes së problemeve me mirëkuptim dhe në vend të programeve dëgjohen vetëm sharje dhe fyerje.“Në vend të programeve përmenden citate nga e kaluara, sharje e fyerje që nuk i japin gjë të mirë zgjedhësve, por ngrenë temperaturën, vazhdojnë akuzat për listat zgjedhore, që tregojnë mungesë serioziteti të organeve të ngarkuara për këto probleme. Këto zhvillimeve tregojnë se organet po përpiqen t’i nxijnë këto zgjedhje, ka incidente, duke përdorur edhe ndeshjet sportive si ishte rasti i Kavajës” tha Moisiu.