Rama-Luksiç: Bashkëpunimi i suksesshëm rajonal, integrim sa më i shpejtë në BE

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, priti sot në një takim Zëvendës Kryeministrin njëherazi Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Integrimit Europian, zotin Igor Luksiç.Në takimin me Zëvendës Kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Igor Luksiç, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pasi vlerësoi progresin që ka bërë Mali i Zi në drejtim të integrimit europian, vuri në dukje rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe vendeve të tjera të rajonit, përmes projekteve të përbashkëta për zhvillimin e infrastrukturës, turizmit, mbrojtjes së mjedisit, etj.Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i suksesshëm rajonal, krahas nxitjes së zhvillimit ekonomik të rajonit, do t’i japë një shtytje të mëtejshme arritjes së objektivit për një integrim sa më të shpejtë të vendeve të rajonit tonë në Bashkimin Europian.Zëvendëskryeministri Luksiç vlerësoi vullnetin e shprehur nga Kryetari i PS për bashkëpunim të mëtejshëm mes dy vendeve tona, duke vënë në dukje potencialin e madh që ekziston në këtë drejtim. Gjithashtu, përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO duke rikonfirmuar aspiratën e Malit të Zi për një anëtarësim sa më të shpejtë në këtë organizatë.Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u ndalën në forcimin e bashkëpunimit mes dy partive respektive.