PDIU: Kriza politike të zgjidhet para vizitës së Klintonit

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet i kërkon kreut të shtetit, Bujar Nishani, të thërrasë një tryezë të partive parlamentare për të nxjerrë klasën politike nga ngërci parlamentar i votimit të tre ligjeve të cilësuara. Në kuadër të festimeve të 100 vjetorit dhe të vizitës së sekretares amerikane të shtetit Hillari Klinton, PDIU bën thirrje që ndasitë politike për tre ligje të cilësuar duhen tejkaluar për ti dhënë sinjale ndërkombëtarëve për vullnet politik në rrugën integruese.“Siç është bërë e ditur Shqipërinë do ta vizitojë në fillim të nëntorit zonja Hillari Klinton, sekretare e shtetit e SHBA-ve së bashku me Baroneshën Ashton. Të dy këto zonja përfaqësojnë bashkë dhe veç e veç shtetet që në historinë moderne të shtetit shqiptar kanë bërë më shumë për ne, për hyrjen në NATO, për afrimin me BE-në, për forcimin e kombit shqiptar në botë. Klasa jonë politike do të ketë beteja të tjera ku mund të ndahet dhe të tregojë dallimet e veta. Sot është koha për kapërcim të krizës politike. Ne i kërkojmë Presidentit të Republikës që sa më shpejt, të thërrasë një tryezë politike të partive kryesore parlamentare, apo të gjithë subjekteve politike që kanë rol në zgjidhjen e krizës parlamentare nga ku duhet të dilet me një vendim të vetëm: miratimin e ligjeve që na kërkohen me shumicë të cilësuar. Tryeza le të vendosë gjithashtu për një zgjidhje të problemeve që shtron opozita. Ligjet e integrimit dhe problemet e opozitës mund të shtrohen në atë tryezë, por duhet të zgjidhen veç e veç”-thuhet në deklaratën e PDIU-së.Ky hap thuhet në deklaratën e shpërndarë nga PDIU duhet të ndërmerret sa më pare, pasi sic vijon deklarata, popujt dhe shtetet seriozë në emër të objektivave kombëtarë i kapërcejnë dallimet dhe i tregojnë botës atë çfarë kanë të përbashkët.