Humbjet e shpeshta të Barcelonës, Rosell takohet me Vilanovën
Situata e komplikuar e dy javëve të fundit të Barcelonës, me humbjet ndaj Milanit dhe Real Madrid, kanë bërë që presidenti i katalanasve, Sandro Rosell, të niset me urgjencë drejt Nju Jorkut për t'u takuar me trajnerin Tito Vilanova.Edhe pse klubi ka saktësuar se ky udhëtim ishte planifikuar prej shumë kohësh, momenti në të cilin po zhvillohet ai lë të kuptohet se numri 1 i katalanasve kërkon të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë të problemeve aktuale të ekipit që rrezikon t'i japë lamtumirën Ligës së Kampioneve, një turneu që katalanasit kanë ndjekur gjithmonë.Tito Vilanova u takua në javën e kaluar me Andoni Zubizarretan dhe bashkëpunëtorët e tij, për të diskutuar çështje teknike, por udhëtimi i Rosell ka të bëjë me zgjidhjet e problemeve dhe planifikimin e të ardhmes.Sipas mediave spanjolle, prania në këtë udhëtim e zëvendëspresidentit sportiv, Bartomeu, nënkupton se kjo mbledhje do të shërbejë për të vendosur nëse do të blihet apo jo braziliani Neimar, duke menduar për sezonin e ardhshëm.Njëkohësisht, mendohet se Rosell do t'i kërkojë Vilanovës të bëjë një sakrificë dhe nëse është e mundur, të udhëtojë drejt Spanjës për ndeshjen e kthimit kundër Milanit, me shpresën që prania e tij në pankinë të motivojë më shumë lojtarët katalanas drejt një përmbysje historike.Për këtë arsye, ai ka dashur të shohë vetë nga afër situatën shëndetësore të trajnerit, para se t'i kërkojë atij që të vijë në Spanjë për 2-3 ditë gjatë javës së ardhshme. Edhe pse klubi e ka hedhur poshtë një spekulim të tillë, shumë media spanjolle janë të bindur se ky është objektivi kryesor i kësaj vizite.