Vidhnin bankat jashtë shtetit, në pranga 4 hakersa
Policia e Shtetit godet një rrjet hakerash, prej katër personash. Falë operacionit të finalizuar me sukses anti-hakers të bluve te koduar “badboys” është bërë i mundur identifikimi i katër shtetasve, ku dy prej tyre kanë përfunduar në pranga, përkatësisht shtetasit Ilir Lajthia 28 vjec dhe Kejdi Stambollxhiu 19 vjeç nga Elbasani, ndërsa po procedohen në gjendje të lirë dy 15 vjecarë nga qyteti i Lacit. Ndalimi i tyre është bërë pasi akuzohen për vjedhje të bankave jashtë shtetit.Sipas policisë shtetasit e mësipërm përmes ndryshimit të të dhënave dhe hyrjeve të pautorizuara kanë arritur të vjedhin shuma prej disa miliona eurosh në banka të BE, por edhe në ato të SHBA.“Sektori i krimeve Kompjuterike pranë policisë së shtetit dispononte informacione për veprimtarinë e njërit prej anëtarëve të grupit për të cilin ka filluar investigimi, i cili kishte aktivitet në fushën e ndërhyrje të paligjshme në të dhënat e sistemeve kompjuterike. Gjatë këtij procesi investigimi, pati dhe njoftime nga bankat e huaja për transferta bankare të kryera prej tij nga llogaria e klientëve të bankave në llogarinë e tij. Në kuadër të këtij procesi hetimesh u bë e mundur identifikimi i autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Të dëmtuarit ishin shtetas të huaj që kishin llogaritë e tyre në banka të shteteve të BE dhe SHBA. Këta shtetas nga hetimet e kryera ka rezultuar të jenë anëtarë të 2 grupeve kriminale kompjuterike shqiptare të quajtur: "Albanian SyberArmy", "Albanian Hakers Group", veprimtaria e të cilëve është dokumentuar”thuhet në deklarën e policisë .Kanë qenë pikërisht autoritetet policore të këtyre shteteve që kanë gjurmuar dy të arrestuarit dhe përmes transfertave të parave është gjurmuar edhe shtetësia. Të arrestuarit akuzohen për “ndryshim të dhënash, mashtrim kompjuterik, hyrje e pautorizuar në kompjutër dhe vjedhje”.Po ashtu këta shtetas kanë ndërhyrë në të dhënat dhe sistemet kompjuterike të shtetasve të ndryshëm në rrjetin social “Facebook” apo rrjete të tjera kompjuterike për përfitime personale.Ndërkaq gjatë kontrollit të ushtruar u janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 7 sisteme kompjuterike laptop dhe desktop, 40 CD, 10 USB si dhe 5 pajisje të tjera kompjuterike, të cila përdoreshin për kryerjen e veprimtarisë kriminale. Materialet lidhur me këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për ndjekje të mëtejshme.