Zgjedhjet,PS-LSI kandidatë të përbashkët, Meta takon Ramën
Mazhoranca duket se nuk do të humbasë kohë. Javën e ardhshme mes PS-LSI dhe aleatëve do të nisin konsultat për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale të qershorit, përfshirë edhe Bashkinë më të madhe të vendit, Tiranën.Një fakt i tillë u bë me dije nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili tha se nuk do të ketë zona të ndara, por kandidatë të përbashkët dhe një proçes transparent.Por nga burime të Ora News mësohet se para daljes për mediat të Metës, mes tij dhe kreut të PS-së Rama ka pasur një takim, ku është diskutuar mbi kandidatë konkretë.Tiranë- E majta e bashkuar do të garojë me kandidatë të përbashkët për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, konsultimet për të cilat do të nisin javën e ardhshme. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, sqaroi për mediat se për dy aleatët e PS-LSI nuk do të ketë zona të ndara.“Besoj se ndoshta javën e ardhme do kemi mundësinë të shkëmbejmë mendime për ndërtimin e këtij proçesi që do jetë mjaft parimor dhe konstruktiv dhe do synojë cilësinë e kandidatëve dhe jo thjesht kënaqien e orekseve të njërës apo tjetrës parti, të njërit apo tjetrit kandidat.Nuk besoj se do ketë zona të ndara mes PS, LSI dhe aleatëve të tjerë, por do të ketë një marrëveshje për të bashkuar përgjegjësitë me qëllim përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë pavarësisht siglave që ata mud të përfaqësojnë.Këto nuk janë zgjedhje politike, por vendore dhe është detyra jonë të ndërtojmë një proçes që zgjedh administratorët më të mirë për qytetarët kudo. Pra ky do të jetë prioriteti, një kosnesus sa më të gjerë për kandidatët më përfaqësues të komuniteteve jo thjesht një ndarje politike”.Meta u shpreh i bindur se opozita tashmë e ka kandidatin e saj për Bashkinë më të madhe në vend, Tiranën. Madje kreu i LSI-së nuk kurseu notat e humorit teksa tha:“Zoti.Berisha me shumë të drejtë e ka shpallur zotin.Basha si kandidatin për zgjedhjet e ardhshme të Bashkisë së Tiranës dhe mendoj se ka plotësisht të drejtë. Se u bënë 10 vjet që zoti.Berisha punon për të ardhmen e zotit.Basha, kështu që le ta bëjë një betejë zoti.Basha për të ardhmen e zotit. Berisha, nuk kemi asnjë vërejtje. Por megjithatë kjo është një çështje që i takon PD”.Nga selia e Kuvendit, Meta tha se seancën e nesërme do të miratohen anëtarët e Komisionit për dekriminalizimin.“Duhet të them se ana e Kuvendit dhe administratës ka qenë gjithçka korrekte dhe patjetër që besoj se ditën e nesërme Kuvendi do të shrehet duke miratuar vendimin dhe përbërjen e anëtarëve të këtij Komisioni sepse ato vetëm së fundi janë dorëzuar nga grupet përfaqësuese”.Në fund, kreu i Kuvendit u pajtua me kritikën e bërë nga, Bamir Topi, për përfshirjen apo mospërfshirjen e ish-Presidentëve për reformën në drejtësi.“Mendoj se kritika e ish-Presidentit Topi është me vend dhe shumë e drejtë dhe besoj se përfshirja e ish-Presidentëve në proçesin e diskutimit dhe hartimit të reformës në drejtësi është shumë e rëndësishme sepse secili prej tyre bart një eksperiencë të rëndësishme dhe të çmuar dhe dihet se Presidenti ka patur dhe ka një rol të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë. Dhe besoj se përfshirja e tyre do të ndodhë dhe jo thjesht se është e rëndësishme, por sepse besoj se do të jetë dhe shumë e dobishme dhe e çmuar”.