Ukrainë, trupat qeveritare tërhiqen nga qyteti Debaltseve
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka konfirmuar largimin e organizuar të ushtrisë së tij nga Debaltseve, një pikë kyçe e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore që ndodhet mes zonës së kontrolluar nga separatistët pro rusë në Donjeck dhe Luhansk.Poroshenko bëri të ditur se 80% e trupave janë larguar që të mërkurën në mëngjes, ndërkohë që luftimet vazhdojnë pavarësisht se armëpushimi ka hyrë në fuqi që në datën 15 shkurt, duke akuzuar rebelët dhe Rusinë se po e shkelin brutalisht atë."Gjatë bisedës që pata me liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian kërkuam një përgjigje të ashpër nga e gjithë bota për dhunimin e marrëveshjes së Minskut. Arritëm t'i tregonim botës fytyrën e vërtetë të banditëve dhe separatistëve që mbështeten nga Rusia, edhe pse kjo duhet të shërbente si garantore e armëpushimit".Mosrespektimi i armëpushimit është kritikuar edhe nga NATO dhe Bashkimi Europian dhe të dy këto institucione kanë paralajmëruar për masa të tjera ndaj Rusisë, që shihet si sponsorizuese e separatistëve.Por pavarësisht akuzave, Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë ironi me tërheqjen e ushtrisë ukrainase, edhe pse tha se shpresonte që largimi të kalonte pa viktima."Sigurisht që askush nuk do të humbasë. Sigurisht që është gjithmonë e dhimbshme të humbësh, sidomos kur humbet ndaj atyre që deri dje ishin minatorë dhe traktoristë. Por kështu e ka jeta dhe ajo vazhdon. Nuk duhet ta stërmendojmë këtë, them që duhet të përqendrohemi të shpëtimi i jetëve dhe përmbushja e marrëveshjes së Minskut" .Përveç ushtarëve ukrainas, rreth 7000 civilë mendohet të jenë bllokuar në Debaltseve. Putin pritet të ketë shumë shpejt një telefonatë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin francez, Fransua Holond dhe vetë Poroshenkon për të diskutuar mbi ecurinë e armëpushimit.