Alarmi nga terrorizmi, Italia nxjerr 4800 ushtarë në rrugë për sigurinë
Italia do të nxjerrë në patrullim në rrugët e vendit 4800 ushtarë për të ndihmuar në parandalimin dhe shmangien e sulmeve të mundshme të militantëve, si ato të ndodhura së fundmi në Danimarkë dhe Francë.Vendimin e bëri të ditur Ministria e Brendshme pas një takimi urgjent të zyrtarëve të ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë në vend. Sipas vendimit, trupat shtesë do të ruajnë vende të rëndësisë së lartë të paktën deri në qershor.Mediat italiane raportojnë se të paktën 500 ushtarë do të vendosen në Romë, ndërsa misionet diplomatike, sinagogat dhe shkollat hebraike në kryeqytet janë vënë prej disa ditësh nën kujdes të veçantë.Roma konsiderohet si qytet me ndjeshmëri të lartë për faktin se në të është edhe selia qendrore e Kishës Katolike, Vatikani.Kërcënimi më i madh për Italinë duket se vjen nga Libia, pasi vendi është pothuajse në kaos total pas shfaqjes së grupimeve ekstremiste aleatë të Shtetit Islamik.Për këtë arsye, autoritetet italiane i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar ndërhyrje të menjëhershme ushtarake dhe ndihmë për forcat e armatosura vendase.Aktualisht në Libi veprojnë dy qeveri paralele, njëra e vendosur në Tripoli dhe e mbështetur nga islamikët dhe tjetra e mbështetur nga Egjipti.Lufta për pushtet ka çuar në rritjen e grupeve ektremiste, ku rreziku real u shfaq të dielën e shkuar me publikimin e videos së ekzekutimit të 21 egjiptianëve katolikë nga Shteti Islamik në brigjet libiane.Ministri i Jashtëm italian, Paolo Xhentiloni, tha në parlament se aleancat e mundshme mes milicisë lokale dhe militantëve të Shtetit Islamik, frymëzuar nga homologët në Siri dhe Irak, rrezikojnë destabilizimin e vendeve fqinje.Brigjet italiane janë vetëm 300 kilometra larg atyre libiane dhe frika më e madhe është se me valën masive të emigrantëve, që janë shumëfishuar në dy muajt e fundit mund të mbërrijnë në gadishullin Apenin edhe terroristë të maskuar, të cilët më pas mund të kryejnë sulme terroriste.