Opinion/ Arbitrat, “padronet” e rinj te Superliges

Ndoshta kompromisi, apo pakti qëllojnë shpesh të jenë shumë herë më të dëmshme se sa bilbili. Javët e fundit të komportimit taktik arbitral në kampionat i kanë dhënë një dimension tërësisht tjetër garës, apo përplasjeve. Të gjithë, ata ME dhe PA stemë që gjykojnë kanë marrë në dorë frenat e kësaj pjese të kampionatit. Duke qenë në një situatë që “nuk kupton” se nga mund të të vijë “premio”, moviola e javëve të fundit të kampionatit ka dhënë një indicie të frikshme: Ata që komandojnë me bilbil kanë të gjithë tagrin, për të prishuar tërësisht një garë! Dhe sinjalet i kanë dhënë. Me një guxim tërësisht të frikshëm, në një allajsoj kohe që po jeton ky popull në këtë vend. Ka perënduar me kohë “gabimi human”, por pamjet tregojnë fare qartë që, ata kanë dalë binarësh! Nuk ka “Tahir” (të më falë profesori), në kuptimin dhe buonsensin e plotë fjalës ti frenojë! Janë frikshmërisht, kompetentë edhe tek përplasja televizive. Gjatë puntatës së fundit, një SMS e një zotërie me shumë pushtet dhe me shumë njohje në futboll, theksoi për rastin në Fier, të daljes dhe ndërhyrjes së tmerrshme të portierit: “Karton i zi, dhe për procedim penal...”. Natyrisht, metafora e përdorur kishte domethënien e saj të plotë, por tashmë bilbilat që u besohet një garë me 4 rivalë në fushë ka marrë në dorë fatet e Superligës, mbase dhe ndoshta, guxoj të them, edhe para prezencës së presidentit. Pjesës së tjetër, ua kanë pirë lëngun me kohë, pa marrë parasysh ende shpërthimin e Shulkut, dikur shef garash, por që vazhdon të ruajë ekuilibrat që duhet të ruajë. Ata, treshet që gjykojnë, po marrin shumë përsipër. Më shumë se sa shumë. Monitorimi televiziv, sërish nuk përbën më lajm për ta, deri sa dikush të bëhet shëmbull, dhe të lërë bilbilin një herë e përgjithmonë. Janë shndërruar në zotër të garës, edhe pse se realisht janë zotër të fushës, por për të dhënë drejtësi, jo për të injektuar vetëgjyqësi. Ata po kalojnë limitet e mundshme, duke inkurajuar më pas pasojën, që më pas, të gjithë ne do ta kontestojmë fort, Dhunën. Por, kjo e fundit, është pasoja. Komportimet e tyre të javëve të fundit japin një sinjal që ata duhen frenuar, pa ardhur epilogu me gjakftohtësinë e humbur të gjithsecilit, favorit në garë! Raste që ndodhin para syve të atyre që u është besuar të mos e prishin këtë garë, të atyre që nuk u është imponuar të japin drejtësi fikse, kur ka një rast me shumë dilema, por jo të xhirojnë një mekanizëm të tërë që administron këtë garë! Ka ende kohë për të frenuar këtë turbulencë të frikshme që ka kapluar gjyqtarët, pse jo, edhe duke bërë shembull dikë...Deri në ekstrem! Ta shohë bashkë me mua ndeshjen nga ekrani përjetësisht. Duke i bërë edhe një ftesë: Të bëjë moviolën dhe të heqë paralele me atë që prodhonte dikur në fushë...