Djalli rikthen "Jashtoksorët", me këmbë në tokë

Klasikja e parë e Chempions Ligës përfundoi me një fitore fantastike të skuadrës së Milan, e cila në “San Siro” mundi të kthente me këmbë në tokë, jashtoksorët e Barcelonës. Kuqezinjtë janë treguar mjaft cinik, duke shfrytëzuar në maksimum rastet e krijuara për të shënuar një fitore të madhe ndaj Katalanasve me rezultatin 2-0.Ashtu siç pritej, ka qenë Barcelona ajo që ka kontrolluar topin, por pa u shfaqur asnjëherë e rrezikshme në zonën e Abiatit. Muri i ndërtuar nga Alegri para zonës së rreptësisë ka rezultuar fatal për katalanasit që në asnjë moment nuk mundën  të depërtonin. "Kafazi" i kërkuar nga Berluskoni funksionoi aq mire, sa Barcelona nuk bëri asnjë gjuajtje në kuadrat në pjesën e parë, ndërsa Milani ju afrua dy herë golit me El Sharauin e Boateng, gjithmonë të rrezikshëm sa herë nisej një kundërsulm.Në pjesën e dytë pritej një sulm i vrullshëm i Barcelonës, por katalanasit vazhduan me të njëjtin ritëm, ndoshta edhe të kënaqur me mënyrën se si po shkonte ndeshja. Por minuta e 57-të rezultoi vendimtare për fatin e këtij takimi. Gjuajtja e Montolivo devijohet nga Zapata me dorë dhe përfundoi në këmbët e Boateng, i cili pa u menduar dy herë dërgoi topin në rrjetën e portierit Valdes. Pavarësisht protestave të katalanasve, gjyqtari e konsideroi golin të rregullt, dhe Milan kaloi në avantazh.Katalanasit u munduan në të gjitha mënyrat të rrezikojnë, por gjuajtja e tyre e parë drejt kuadratit erdhi vetëm në minutën e 76-të të ndeshjes. Ndërsa 5 minuta më vonë, erdhi dhe ndëshkimi vdekjeprurës për Barcelonën. Një kundërsulm i shpejtë i Milanit me Niang, El Sharauin dhe Muntarin rezultatoi fatal për katalanasit. Ganezi shfrytëzoi një assist përfekt të Faraonit dhe mposhti përsëri Valdez, duke vulosur rezultatin e kësaj ndeshje. Kjo fitore vë Milanin në pozita shumë komode në ndeshjen e kthimit në "Kamp Nou", sidomos nëse katalanasit do të vazhdojnë me të njëjtin stil loje, i cila tashmë është studiuar në perfeksion nga tekniku Alegri.