Kosova feston sot 7-vjetorin e Pavarësisë
Kosova feston sot 7 vjetorin e pavarësisë. Ceremonitë zyrtare për ditën e shënuar kanë nisur me homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe i komandantit Adem Jashari, dhe vazhdojnë me mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës.Presidentja Jahjaga, kryeminsitri Mustafa si edhe një pjesë e kabinetit qeveritar kryen homazhe në varrin e Rugovës.Ndërkohë gjatë ditës do të ketë koncerte festive në Prishtinë por edhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa në mbrëmje presidentja Atifete Jahjaga do të zhvillojë një pritje me trupin diplomatic të akredituar në Kosovë.Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 në një seancë solemne të parlamentit. Për të mbërritur deri në këtë ditë, vendi që në atë periudhë administrohej nga UNMIK, kaloi në një proces të gjatë lufte dhe vuajtjesh. Sinjali i parë për shkëputjen përfundimtare u dha në mars të vitit 1999 kur NATO filloi sulmet ajrore mbi Serbinë pas marrëveshjes së Rambujesë e nënshkruar vetëm nga pala kosovare.Gjatë kësaj lufte u vranë mbi 12 mijë shqiptarë, shumë u plagosën, më shumë se një milion njerëz u deportuan ndërsa u dogjën shumë shtëpi dhe shkolla.Në qershor të vitit 1999 Serbia pranoi kapitullimin dhe nga ky moment filloi një kthesë e re për shqiptarët. Shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova po përballet me papunësi, me protesta të arsimtarëve, minatorëve dhe eksodin e qytetarëve.Sipas statistikave mbi 50 mijë qytetarë kanë braktisur Kosovën vetëm nga nëntori i vitit të kaluar deri më tani. Në mesin e të larguarve janë edhe mbi 5 mijë nxënës.