Migrimi, Meta takon Haradinaj: Qeveria kosovare ti japë perspektivë
Qeveria ka përgjegjësitë kryesore sa i takon eksodit të madh që po përjeton Kosova, por sipas Metës duhet edhe një bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës për çështjet që japin një perspektivë për qytetarët e Kosovës.Në këtë pikë të nxehtë të aktualitetit është përqëndruar biseda mes kreut të kuvendit Ilir Meta dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.Ilir Meta: “Në çdo rast të vetmit që përfitojnë janë trafikantët, pasi bëhet fjalë për një biznes të jashtëzakonshëm, i cili po sjell jo vetëm largimin e qytetarëve në mënyrë masive nga Kosova, por edhe po i dëmton ata ekonomikisht në mënyrë mjaft serioze, pasi kanë rënë pre për vlerësimin tim të një rrjetë trafikantësh që përfitojnë shuma marramendëse nga ky manipulim që po u bëhet qytetarëve të Kosovës, të cilët në një shumë të shpejtë do të jenë të detyruar të kthehen në Kosovë, por pasi të kenë pësuar humbje të rëndësishme dhe zhgënjime të mëdha.” Kështu që është e rëndësishme për t’i dhënë më shumë perspektivë Kosovës, në këtë drejtim natyrisht qeveria ka përgjegjësitë kryesore por besoj se edhe një bashkëpunim dhe një dialog mes qeverisë dhe opozitës për çështjet më të rëndësishme që japin një perspektivë për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës është e domosdoshme ashtu sikurse besoj që edhe liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndihmonte për të shmangur dhe dekurajuar këtë lloj tundimi, i cili ka edhe arsye psikologjike përveç atyre ekonomike dhe sociale.Ramush Haradinaj: Ashtu siç u tha ndoshta janë shumë faktorë, por kjo nuk është një gjë e mirë që po i ndodh Kosovës. Thirrja përsëritet, që të mos e braktisim vendin. Vërtetë që njerëzit kanë shumë arsye pse mendojnë për t’u larguar, por duhet të punojmë që t’i gjejmë zgjidhet në Kosovë.Muajt e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të kalimeve të parregullta në pikat kufitare të qytetarëve të Kosovës, si përshembull në kufirin serbo-hungarez dhe ka pasur gjithashtu rritje te konsiderueshme të kerkesave për azil nga Kosova në vende si Hungaria dhe Gjermania duke bërë që Bashkimi Europian të rrisë masat e sigurisë për të ndaluar këtë fenomen./Oranews.tv/