Protesta për vendbanimet e Izraelit në tokat palestineze

Palestinezët dhe forcat e sigurisë së Izraelit janë përleshur këtë të hënë në fshatin Abu Dis pranë Jeruzalemit.Ushtria u desh të ndërhynte për të larguar palestinezët që po ngrinin tenda në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për të ngritur vendbanime për hebrenjtë në zonën të njohur si E1, e cila shtrihet mes Jeruzalemit dhe Ramallahut në Bregun Perëndimor.Forcat izraelite lëshuan gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, por fatmirësisht përveç dy të arrestuarve nuk pati viktima apo të plagosur.Kjo është hera e dytë që protestuesit ngritën tenda për të kundërshtuar vendimin e Izraelit, të marrë në vitin 2012, që kur Palestina fitoi "de facto" njohjen si shtet në Asamblenë e OKB-së.Projekti është ngrirë prej disa kohësh, pasi kundërshtohet nga pjesa më e madhe e shteteve, duke qenë se shtrihen në Bregun Perëndimor, një zonë e pushtuar prej Izraelit në luftën e vitit 1967 dhe që është ende pjesë e debateve të nxehta mes dy etnive.Këto ndërtesa të ngritura në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazas, Qeveria në Tel-Aviv planifikon t'i mbushë me banorë hebrenj.Pas sulmeve më të fundit në Danimarkë, sikurse bëri pas atyre në Paris në janar, kryeministri Benjamin Netanjahu u ka bërë thirrje hebrenjve në Europë që të kthehen në Izrael nëse ndihen të pasigurt atje, një veprim ky që nuk është mirëpritur nga qeveritë e kontinentit të vjetër.E pyetur për këtë çështje, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Gjermania ishte e lumtur që hebrenjtë ishin sërish pjesë e jetës atje dhe se të gjithë autoritetet do të bënin gjithçka për të siguruar jetët e tyre.