Vazhdon drama e emigrantëve, 12 anije të sinjalizuara në brigjet e Lampeduzës
12 anije me emigrantë janë sinjalizuar në jug të brigjeve të Lampeduzas të dielën, në një valë të re përpjekjesh për të mbërritur në brigjet italiane. Menjëherë janë nisur anijet e rojes bregdetare, Gruardia di Finanza dhe marina ushtarake, për të shmangur një tjetër tragjedi, si ajo e të premtes, kur 300 vetë humbën jetën në përpjekje për të prekur brigjet e Europës.Ndërkohë, rreth 280 emigrantë të tjerë mbërritën në portin siçilian të Pocalos të dielën në mëngjes. Ata ishin pjesë e rreth 700 të shpëtuarve nga një anije e rojes bregdetare italiane dhe dy anijeve tregtare pranë brigjeve të Libisë të premten.Disa prej emigrantëve kishin nevojë urgjente për ndihmë mjeksore ndërsa njëri prej tyre ishte i plagosur me armë dhe u mor në pyetje nga policia.Roja bregdetare italiane nisi që të premten misionin e shpëtimit pasi mori njoftime përmes satelitit se disa anije të mbingarkuara me emigrantë ishin nisur nga Libia për të mbërritur në Siçili.Kohët e fundit, me përmirësimin e motit, anijet me emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika kanë rifilluar udhëtimet nga brigjet e Afrikës veriore, sidomos nga Libia, për të mbërritur në Europë. Kjo falë edhe mbylljes së programit të shtrenjtë italian të kërkim-shpëtimit, Mare Nostrum, dhe zëvendësimin e tij me misionin Triton, të kontrollit të kufijve të sponsorizuar nga Bashkimi Europian. Por ndryshe nga pararendësi, misioni Triton nuk ka fondet dhe mandatin për të dalë nga kufijtë e BE-së.UNHCR vlerëson se rreth 218 000 emigrantë kanë mbërritur vitin e kaluar në Europë përmes Mesdheut vitin e kaluar, ndërsa 3500 kanë humbur jetën.