Gjermani, anulohen karnavalet për shkak të kërcënimit nga terroristët
Policia në qytetin verior gjerman, Braunshvajg, anuloi festën e përvitshme të karnavaleve të dielën nga frika e një sulmi të mundshëm terrorist.Nisja e festimeve u anulua vetëm 90 minuta para orarit zyrtar duke lënë të zhgënjyer njerëzit e shumtë të mbledhur për të festuar.Vendimi ishte marrë nga kryebashkiaku, Ulrih Markurt, i cili tha se kjo ishte një ditë e trishtë për qytetin.Burimet e forcave të sigurisë thanë se arsyeja zyrtare për anulimin e festimeve ishte kërcënimi specifik nga një sulm prej terroristëve islamikë. Policia i këshilloi njerëzit që të mbylleshin nëpër shtëpi dhe të mos dilnin në rrugë."Shumë njerëz kishin mbërritur të veshur me costume festive dhe u ndjenë mjaft të zhgënjyer, por ne nuk donim të ndërmerrnim asnjë rrezik", tha zëdhënësi i policisë, Tomas Gese.Karnavalet e përvitshme të Braunshvajgut zakonisht mbledhin rreth 250 000 vizitorë çdo vit. Më shumë se 4000 vetë marrin pjesë në paradën prej 6 kilometrash që përshkon të gjithë qytetin.Anulimi i festës vjen vetëm pak orë pas policia daneze ekzekutoi personin që dyshohet të jetë autori i dy sulmeve në Kopenhagen, megjithëse policia gjermane tha se mes ngjarjeve në Danimarkë dhe vendimit nuk kishte lidhje.