Nobelisti Orhan Pamuk: Në Turqi njerëzit i ka kapluar frika
Ushtria autoritare që ka dominuar me dekada Turqinë sot është zëvendësuar nga një qeveri po kaq autoritare dhe me prirje fetare. Ky është vlerësimi që nobelisti turk, Orhan Pamuk, i ka bërë situatës politike në vendlindje, duke kritikuar kështu regjimin e presidentit Rexhep Erdoan."Partia në pushtet e Drejtësisë dhe Zhvillimit po e rrënon barazpeshën e forcave, që faktikisht paraqet çelësin e çdo demokracie,” citohet Pamuk në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP.Edhe pse e bën të qartë se nuk dëshiron të shihet si një rival shekullarist i presidentit Rexhep Erdoan, por një romancier, Pamuk vëren se në Stamboll, ku jeton pothuajse gjysmën e vitit, njerëzit kanë nisur të kenë frikë."Ata pëshpërisnin kur flisnin. Prandaj më duket sikur Turqia nuk është më një demokraci, por një shtet ku fjala e lirë dhunohet ço ditë. Megjithatë, krahasuar me brezin e mëparshëm të shkrimtarëve, të cilët arrestoheshin dhe burgoseshin, ndihem me fat," thotë nobelisti. Partia e Erdoanit, e cila dominon prej mëse një dekade skenën politike në Turqi, edhe pse erdhi në pushtet me kartën fetare, është vendosur shpesh në qendër të skandalve të korrupsionit duke shkaktuar jo pak protesta në vend."Në këtë kuptim, misteri i islamit politik është zhdukur për shkak të akuzave për korrupsion ndaj pushtetarëve," thotë Pamuk.