Shqiptarët po ikin, popullsia pëson rënie krahasuar me 1 vit më parë

Emigracioni po rrudh gjithmonë e më shumë popullsinë shqiptare. Të dhënat e INSTAT konfirmojnë se popullsia e Shqipërisë më 1 Janar 2015 pësoi një rënie me rreth 3 mijë banorë, krahasuar me atë të 1 Janarit 2014.Faktori kryesor i rënies së popollsisë vlerësohet të jetë emigrimi.Kjo konfirmon se shqiptarët vijojnë që të largohen nga vendi i tyre drejt vendeve të perëndimit për të gjetur një jetesë më të mirë.Në bazë të dhënave të INSTAT në vitin 2014, u vlerësua të jenë larguar nga vendi 46.413 persona ku 52 % ishin meshkujt. Migracioni neto gjatë vitit të kaluar ka qenë - 18.046 duke sjellë rrjedhimisht që popullsia e Shqipërisë të pësoj një rënie prej 2.942 personash.Mosha mesatare e popullsisë së Shqipërisë në 1 Janar 2015 është 35 vjeç.Ndërsa raporti gjinor në lindje për vitin 2014 ishte 109,4 meshkuj për çdo 100 femra. Qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri mbetet Tirana, e ndjekur nga Fieri dhe Elbasani ndërsa qarqet me popullsinë më të ulët në vend janë Gjirokastra, Kukësi dhe Dibra.Nga të gjitha qarqet vetëm Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë njohur rritje të popullsisë, ndërsa popullsia e të gjitha qarqeve të tjera ka pësuar rënie. Qarku me rritjen më të madhe të popullsisë është Tirana me një rritje vjetore prej 1,61 %, ndërsa qarku me rënien më të lartë të popullsisë është Gjirokastra me një rënie vjetore prej 1,84 %./oranews.tv/