Gjermania udhëheq ekonominë në rritje të Eurozonës
Ekonomia europiane është rritur me 0,3% në tremujorin e fundit të vitit 2014, sipas të dhënave të fundit nga Eurostat, kjo falë edhe ndihmës së ekonomisë gjermane, që është edhe superfuqia eksportuese e kontinentit.Produkti i brendshëm bruto i Eurozonës është përmirësuar me 0,2% krahasuar me tremujorin e tretë, duke rritur shpresat për një rimëkëmbje të ekonomisë së kontinentit. Gjermania ka udhëhequr, pasi Produkti i Brendshëm Bruto i saj u rrit me 0,7%, shumë më tepër se Franca, që pati rritje me 0,1%, ndërkohë që Italia mbeti në stanjacion.Zyra gjermane e statistikave, Destatis, raportoi se kërkesa e madhe për blerje në tregun gjerman dhe rritja e eksporteve ndihmuan ekonominë vendase të rritej. Ekspertët madje mendojnë se rritja mund të përparojë edhe më tepër në tremujorin e parë të 2015-ës dhe në vazhdim.Optimizmi mbi ekonominë gjermane u reflektua edhe në bursën vendase, e cila u hap me shifra rekord këtë mëngjes.Në terma vjetorë, ekonomia gjermane u rrit me 1,6%, ndërsa Franca me vetëm 0,4%, kryesisht për shkak të rënies së investimeve dhe uljes së shpenzimeve nga konsumatorët. Megjtihatë, ministri i financave, Mishel Sapë, është optimist se gjërat mund të ndryshojnë në 2015-tën. Ndërsa Italia, ekonomia e tretë më e madhe e Europës, nuk shënon rritje ekonomike prej vitit 2011.