Rikthehet pas 20 vitesh në një koncert recital violinisti Zeqir Sulkuqi

Tradita dhe modernia bashkohen tek "Nga viset e Arbrit, tek miqtë e Ballkanit" një koncert i cili rikthen pas 20 vitesh qëndrimi në Greqi, violinistin e njohur Zeqir Sulkuqi në bashkëpunim me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.Drejtori artistik i Ansamblit, Sulejman Baltëza tha se ky koncert vjen me një repertor që luhet për herë të parë në vendin tonë ku në mënyrë të veçantë merr përsipër të trajtojë muzikën shqiptare dhe të popujve të tjerë të Ballkanit, duke përcjellë edhe mesazhin për afrimin e mëtejshëm të këtyre kulturave.Sipas violinistit, Zeqir Sulkuqi, në koncert do të trajtohet muzikalisht tingëllimi ballkanik dhe do të shikohet se sa afër jemi shpirtërisht në muzikë me vendet e Ballkanit.Koreografia po përgatitet nga koreografi i njohur Artan Ibërshimi. Numrat koreografike kanë pjesë me valle nga malësia e Elbasanit, nga një valle greke, një valle bullgare dhe përfundohet me një valle kosovare. Në koncertin, i cili do të mbahet në datën 24 shkurt në TKOB janë të ftuar edhe këngëtarë të njohur si Kastriot Tusha apo Elida Zepishti.