PS për 20 shkurtin: Qeveria në rënie, kapet pas fantazmës së Enver Hoxhës

Partia Socialiste shpreh keqardhje lidhur me prononcimin e sotëm të Ministres së Integrimit për festimin e 20 shkurtit, rrëzimit të bustit të ish diktatorit Enver Hoxha. Në një dalje për mediat, anëtarja e grupit të punës për programin e PS, Milena Harito tha se qeveria ngutet të flasë për 20 shkurtin që në 19 shkurt sepse nuk mbahet dot më në këmbë.“Nga që nuk di me ç'të thotë për dështimet dhe për rrënimin e vazhdueshëm të vendit, qeveria ngutet të flasë për 20 shkurtin që në 19 shkurt. Ose kaq keq e kanë humbur busullën në rrugën e ikjes qeveritarët tanë, sa nuk dinë me as çfarë date është në Shqipëri. Por në fakt qeveria u ngut të kapet sot pas fantazmës së Enver Hoxhës, sepse nuk mbahet dot më në këmbë. Dhe përdori 20 shkurtin me ngut për të kërcënuar e fajësuar opozitën” tha Harito.Sipas saj ajo çka shqiptarët sot kërkojnë është punësim real, ndërkohë që në 4 vitet e fundit qeveria e Sali Berishës ka mbyllur zyrtarisht 52 mijë vende pune dhe në Shqipëri janë më shumë se 1 milionë të papunë.“Shqiptarët sot kërkojnë taksim të ndershëm, ku ata që fitojnë më pak të paguajnë më pak, ndërkohë që ata fitojnë më shumë të kontribuojnë më shumë për shoqërinë. Ndërkohë që qeveria e Sali Berishës ka vendosur taksën e sheshtë, që detyron infermieren të paguajë më shumë se Ministri i Shëndetësisë dhe policin më shumë se Ministri i Brendshëm.Shqiptarët sot kërkojnë shërbime sipas nevojës, jo sipas xhepit. Ndërkohë që qeveria u thotë nëse nuk keni lekë mos u sëmurni dhe as mos ëndërroni t’i çoni fëmijët në shkollë”theksoi ajo.Anëtarja e grupit të punës së PS theksoi se në qoftë se ne, gjeneratës së lëvizjes demokratike që çoi edhe në rrëzimin e monumentit të diktatorit do të na e thoshte dikush se pas 22 vjetësh do të kishim këtë qeveri; këtë kriminalitet në rrugë, këto shërbime në spitale e shkolla dhe sojin më të keq të komunistit do ta kishim për kryeministër, realiteti i sotëm do të na dukej një makth.“Por fatkeqësisht, kjo e keqe është para syve tanë. Fatmirësisht, në 23 qershor shqiptarët do ta ndryshojnë Shqipërinë dhe me votë do sjellin Rilindjen që të gjithë duam” përfundoi Harito.