Berisha: Do vijojmë bashkëpunimin me OPEC-un në infrastrukturë

Shqipëria do të vijojë bashkëpunimin me OPEC në infrastrukturën rurale, në bujqësi, në transport, në sistemin shëndetësore dhe në fushën dixhitale. Kështu është shprehur kryeministri Berisha në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e përgjithshëm të OPEC-ut Sulejman Herbish ndërsa ka vlerësuar edhe bashkëpunimin mes kompanisë dhe vendit tonë."Zoti Harbish vjen në Shqipëri pas vizitës së mëparshme të tij dhe diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin për vitet e ardhshme, për përparësitë e këtij bashkëpunimi. Kemi rënë dakord të vazhdojmë bashkëpunimin tonë në fushën e infrastrukturës rurale, në fushën e bujqësisë, në transport, në sistemin shëndetësor dhe në fushën e Shqipërisë dixhitale. Këto janë disa drejtime, në të cilat unë i parashtrova zoti Herbish, për bashkëpunimin tonë të ardhshëm, por unë edhe njëherë gjej rastin ti shpreh mirënjohjen më të thellë mikut të shquar, timit dhe të Shqipërisë, për të gjithë mbështetjen e madhe, ndjenjat miqësore që ka dëshmuar dhe dëshmon ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë" tha Berisha.Edhe sekretari i përgjithshëm i OPEC-ut vlerësoi si mjaft të frytshëm bashkëpunimin me Shqipërinë.  "Ne diskutuam për bashkëpunimin e tanishëm dhe të ardhshëm, për nivelin e bashkëpunimit aktual dhe performancën e bashkëpunimit ne jemi të gjithë shumë të kënaqur. Projektet që ne bashkë-financojmë ecin shumë mire. Në lidhje me bashkëpunimin për të ardhmen, unë i konfirmova kryeministrit se ne jemi krenarë për bashkëpunimin e ardhshëm me këtë vend dhe ishte shumë e qartë se ne kemi një axhendë të përbashkët, zhvillimin rural, si zhvillim në infrastrukturën rrugore, ndërtimin e ujësjellësve, bujqësi etj në zonat rurale, të gjitha këto janë në zemër të biznesit tonë. Unë do të raportoj për takimin me kryeministrin tek mbledhja jonë e komitetit dhe do të bëjë çmos, që të plotësoj kërkesat për të ardhmen e Shqipërisë. Jam shumë i gëzuar t`ju njoftoj që Kryeministri pranoi ftesën për të na vizituar neve në Vjenë” tha sekretari i OPEC.