11 vjet nga 9 janari, familjarët e viktimave të tragjedisë: Rihapni hetimet

Në 11 vjetorin e tragjedisë së 9 janarit, të afërmit e viktimave kanë bërë homazhe, duke hedhur tufa me lule në det dhe ndezur qirinj. Familjarët e 28 viktimave, 8 nga të cilët nuk iu gjet trupi kurrë, kërkojnë të rihapen hetimet, pasi sipas tyre janë fshehur të vërtetat.Familjarët e viktimave të tragjedisë së 9 janarit  kanë qenë në Vlorë ku kanë bërë ritualin e përvitëshëm, duke hedhur buqeta me lule në det si dhe ndezur qirinj për shpirtrat e të mbyturve dhe të humburve në det.Familjarët pretendojnë se nuk është hetuar e plotë dosja për ngjarjen e ndodhur dhe përgjegjësit e saj, ndaj kërkojnë rihapje të saj.“Shteti i ka mbytur këta fëmijë. Na jepni fëmijët, na gjeni kockat e fëmijëve se ne votojmë për shtetin shqiptar dhe mos na leni më në këtë hall që na keni lënë deri më sot”, shprehet një prej familjareve.Një gomone e nisur me 36 persona në bord e nisur nga brigjet e Palasës në jug të Karaburunit, drejt Italisë, do t'u kushtonte jetën në mënyrë tragjike 20 shqiptarëve, ndërsa 8 të tjerë do të zhdukeshin në det të hapur pa lënë gjurmë. Të gjithë viktimat ishin nga zona e Shkodrës, të moshës 15 deri në 33 vjeç.