Garda shton mbrojtjen për Bashën. PD replika me Ministrinë e Brendshmë për kërkesën

Që nga dje kryetari i PD Lulzim Basha shoqërohet me forca shtesë nga Garda e Republikës pas deklaratës se është kërcënuar nga Emiljano Shullazi. Por pas burimeve nga Prokuroria se forcat shtesë janë kërkuar prej saj, në debat janë përfshirë Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe selia e PD.Sipas Policisë së Shtetit nuk ka pasur një kërkesë të tillë nga ana e prokurorisë për të shtuar shoqëruesit e kreut të PD.Ministria e Brendshme pak minuta më vonë bëri me dije se forcat shtesë i ishin vënë në dispozicion Lulzim Bashës pas kërkesës që shefi i rojeve të tij të sigurisë kishte bërë pranë Gardës së Republikës.Selia blu përgënjeshtroi menjëherë që stafi I Bashës të ketë kërkuar forca shtesë në Ministrinë e Brendshme duke I quajtur pretendimet gënjeshtra. Në këtë mënyrë ajo që dihet e saktë është që kryetari I opozitës nga dje ka katër forca më shumë që e shoqërojnë, por që nuk dihet se nga kush janë kërkuar.