Peleshi inspekton rrugën Lin-Pogradec, prezanton projektin për bregun liqenor
Punimet në rrugën Lin-Pogradec, të rinisura përgjatë 2014-ës, janë inspektuar nga zv/Kryeministri Niko Peleshi, i cili nga ky segment i rëndësishëm turistik prezantoi edhe projektin për rehabilitimin e bregut liqenor të Pogradecit. Numri dy i qeverisë, ka vlerësuar ritmin me të cilin po punohet në këtë aks, vetëm 17.5 km të gjatë, duke u ndalur edhe tek aksionet më të fundit të INUK."Puna vazhdon me intensitet të lartë me projektin e përmirësuar të rrugës që lidh Lini me Pogradecin, një rrugë shumë e rëndësishme të cilës i janë bërë edhe përmirësime estetike, pastrimi i bregut të liqenit nga ndërtimet me leje dhe pa leje. Natyrisht që është bërë shpronësimi i të gjitha objekteve me leje, një shpronësim ligjor dhe i plotë, në të drejtën e ligjit".Nga ky segment i rëndësishëm turistik, zv.kryeministri, i cili u takua edhe me përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, prezantoi edhe projektin për rehabilitimin e bregut liqenor të Pogradecit."Ky projekt është pjesë e një programi shumë të madh të qeverisë shqiptare, programi i transformimit të qyteteve, por edhe i zonave me potencial turistik, siç është kjo zonë. Liqeni i Pogradecit është një pasuri jo vetëm e këtij rajoni, por është një pasuri kombëtare. Ky projekt nuk është vetëm një projekt infrastrukture, por është edhe një projekt ekonomik sepse ka për qëllim të nxisë më tepër, në mënyrë të qëndrueshme zhvillimin e turizmit në këtë zonë".Punimet në aksin Lin-Pogradec kanë nisur në muajin qershor të vitit 2011 ndërsa afati i përfundimit ishte muaji qershor i vitit 2014, ndonëse punimet ende vijojnë.